Nga Gazeta ‘Si’- Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, deklaroi se marrëveshja e sigurisë mes Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara është “100% gati” për t’u nënshkruar, pas dy ditësh bisedimesh ku morën pjesë përfaqësues nga Ukraina, SHBA-të dhe Rusia.
Ai bëri të ditur se bisedime të tjera pritet të zhvillohen fundjavën e ardhshme.
Duke folur nga Vilniusi, gjatë një vizite zyrtare në Lituani, Zelenskyy tha se Ukraina po pret që partnerët ndërkombëtarë të përcaktojnë datën dhe vendin e nënshkrimit të dokumentit për garancitë e sigurisë, i cili më pas do t’i nënshtrohet ratifikimit në Kongresin amerikan dhe në parlamentin ukrainas.
“Për ne, garancitë e sigurisë janë para së gjithash garanci nga Shtetet e Bashkuara. Dokumenti është gati dhe ne po presim konfirmimin për nënshkrimin”, u shpreh ai.
Ndërkohë, Ukraina kërkoi mbështetje shtesë për mbrojtjen ajrore nga aleatët, pasi mbi 1 mijë e 300 ndërtesa banimi në Kiev mbetën pa ngrohje për të dytën ditë radhazi, në kushte temperaturash nën zero, si pasojë e sulmeve ruse.
Kryebashkiaku i Kievit, Vitalii Klitschko, tha se sulmet ajrore dhe moti i ftohtë kanë vështirësuar punën e ekipeve të riparimit.
Zelensky theksoi gjithashtu synimin e Ukrainës për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian deri në vitin 2027, duke e cilësuar këtë proces si një “garanci të sigurisë ekonomike”. Ai pranoi se mbeten dallime të thella me Rusinë, veçanërisht lidhur me çështjet territoriale.
Në një aktivitet përkujtimor në Vilnius, presidenti i Polonisë, Karol Nawrocki, bëri thirrje për unitet mes vendeve europiane përballë kërcënimit nga Rusia. Edhe Zelensky paralajmëroi se Europa duhet të mbetet vigjilente, duke theksuar se “është shumë herët për t’u çlodhur ndërsa makina e luftës së Rusisë vazhdon të funksionojë”.
Ndërkohë, autoritetet ruse njoftuan se mbetje nga dronë ukrainas kanë shkaktuar zjarr në dy objekte në rajonin e Krasnodarit, ku një person u plagos. Ministria ruse e Mbrojtjes deklaroi se gjatë natës janë rrëzuar 40 dronë ukrainas, 34 prej tyre në këtë rajon.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



