Politike

Komiteti i Helsinkit: Qeveria të mos fajësojë qytetarët për përmbytjet, të marrë përgjegjësitë e saj!

Nga Gazeta Si- Komiteti Shqiptar i Helsinkit vlerëson se për përmbytjet e ndodhura në vend më 6 janar, shteti duhet të marrë përsipër përgjegjësitë e veta e jo t’i lërë gjithë fajin qytetarëve.

Pas përmbytjeve masive që preken disa qytete të Shqipërisë më 6 janar, një grup vëzhguesish të Komitetit Shqiptar të Helsinkit (KShH) realizuan një monitorim të pjesshëm në Durrës për të verifikuar situatën dhe pasojat e këtyre fatkeqësive.

Autoritetet lokale referojnë si shkaktarin kryesor të përmbytjeve hedhjet pa kriter të mbeturinave që qytëtarët kanë bërë apo ndërhyrjet në infrastrukturën e sistemit të kanalizimeve por KShH vlerëson se për të arritur në një konkluzion objektiv, nevojitet një verifikim gjithëpërfshirës, duke mbikqyrur edhe realizimin e detyrave nga institucionet e ngarkuara me pastrimin dhe mirëmbajtjen e sistemit të kanalizimit, si dhe institucionet që kanë të detyrë të mbrojnë mjedisin, konform parimit “ndotësi paguan”.

“Shteti nuk mund të ngarkojë të gjithë fajin tek banorët, por duhet të marrë përsipër edhe përgjegjësitë e tij duke informuar nëse autoritetet vendore kanë realizuar me përpikmëri detyrat e përgjegjësitë e tyre në këtë drejtim”, thuhet në deklaratën për shtyp.

KShH përmend edhe ligjin “Për vetëqeverisjen vendore”, ku bashkitë janë përgjegjëse për mbledhjen, largimin dhe trajtimin e  ujërave të shiut dhe mbrojtjen nga përmbytjet në zonat e  banuara, ndërtimin, rehabilitimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve vendore, mbledhjen, largimin dhe trajtimin e mbetjeve të ngurta dhe shtëpiake si dhe kujdesen për parandalimin e ndërhyrjeve të paligjshme në rrjetin e furnizimit me ujë të pijshëm dhe kanalizimeve të ujërave.

Gjithashtu, KShH thotë se një pjesë e qytetarëve të pyetur nuk ishin të informuar për procedurat që duhet të ndiqnin pranë autoriteteve lokale me qëllim përfitimin e dëmshpërblimi përkatës.

Pjesës tjetër të banorëve që kishin dorëzuar kopje të dokumentacionit të kërkuar për vlerësimin e dëmeve, nuk ju ishte vendosur në dispozicion një kopje e procesverbalit të mbajtur nga komisioni në terren për konstatimin e dëmeve si dhe nuk ishin në dijeni se si do të vijonte procesi i dëmshpërblimeve më tej.

“Qytetarët duhet të ndërgjegjësohen konform parimit të barazisë, mbi procedurat që duhet të ndjekin për kërkimin e dëmeve”.

KShH vlerëson gjithashtu se paraqitja e grupeve të punës në terren, të ngritura nga Bashkia, me distancë kohore nga momenti kur kanë ndodhur përmbytjet, mund të ndikojë në objektivitetin e vlerësimit të dëmeve për secilën banesë, qoftë duke ndikuar në uljen apo edhe shtimin e vlerës reale të tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë