Bota

‘Po i vëzhgojmë nga afër’, Trump: Një flotë masive është nisur drejt Iranit

Nga Gazeta ‘Si’- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump deklaroi se një flotë masive po lëviz drejt Iranit, pas kërcënimeve të përsëritura ndaj Teheranit për ndërhyrje amerikane, në mes të shtypjes së dhunshme të protestave në vend.

“Ne kemi një flotë masive që po shkon në atë drejtim”, u tha Trump gazetarëve gjatë fluturimit të kthimit drejt Washingtonit nga Forumi Ekonomik Botëror (WEF) në Davos.

”Dhe ndoshta nuk do të na duhet ta përdorim… kemi shumë anije që po shkojnë në atë drejtim, për çdo rast. Një flotilje e madhe po lëviz atje dhe do të shohim se çfarë do të ndodhë. Kemi një forcë të madhe që po shkon drejt Iranit. Do të preferoja të mos ndodhte asgjë, por po i vëzhgojmë nga afër”, shtoi Trump, duke iu referuar autoriteteve iraniane.

Sipas raportimeve të mediave amerikane, Washingtoni po forcon praninë e tij ushtarake në Lindjen e Mesme, përfshirë dislokimin e aeroplanmbajtëses “USS Abraham Lincoln” dhe disa anijeve shoqëruese.

Aeroplanmbajtësja me energji bërthamore zakonisht transporton disa mijëra ushtarë dhe dhjetëra avionë luftarakë dhe shoqërohet nga destrojerë të marinës. Deri tani, Pentagoni nuk ka dhënë një konfirmim zyrtar për këtë dislokim.

Protestat nisën në Teheran në fund të dhjetorit, fillimisht si reagim i tregtarëve ndaj rënies së fortë të vlerës së rialit iranian dhe përkeqësimit të kushteve ekonomike, për t’u shndërruar më pas në një kryengritje mbarëkombëtare kundër sistemit autoritar të Republikës Islamike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë