Bota

Trump themelon Bordin e Paqes për Gazën, Kosova nënshkruese

Nga Gazeta ‘Si’- Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nënshkroi bashkë me Donald Trump dhe liderë të tjerë botërorë, themelimin e Bordit të Paqes, në një ceremoni të organizuar në Davos të Zvicrës.

Në podium me Osmanin dhe Trump ishin edhe liderë të tjerë botërorë, si Presidenti i Argjentinës, Javier Milei, dhe Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orbán.

Bordi i Paqes do të përbëhet nga liderë botërorë dhe fillimisht u konceptua si pjesë e planit për rindërtimin e Gazës, por mandati i tij është zgjeruar më pas.

Të mërkurën, shtatë vende, përfshirë Arabinë Saudite, Katarin, Turqinë dhe Egjiptin, njoftuan se do t’i bashkohen bordit. Izraeli ka konfirmuar gjithashtu publikisht pjesëmarrjen e tij.

Një numër vendesh kishin aderuar tashmë, përfshirë Marokun, Bjellorusinë dhe Bahreinin.

Kanadaja, Rusia dhe Mbretëria e Bashkuar janë mes vendeve që janë ftuar gjithashtu. Këtë mëngjes, Sekretarja e Jashtme Yvette Cooper i tha BBC-së se Mbretëria e Bashkuar nuk do të jetë nënshkruese sot, duke përmendur shqetësimet lidhur me përfshirjen e Presidentit rus Vladimir Putin.

Edhe Kryeministri Edi Rama ka marrë ftesë për të qenë pjesë dhe e ka pranuar atë. Vendimi pritet të miratohet këtë të enjte në Parlament. 

Kush mori pjesë në ceremoninë nënshkruese?

  • Arabia Saudite — ministri i Jashtëm Faisal bin Farhan Al‑Saud
  • Argjentina — presidenti Javier Milei
  • Armenia — kryeministri Nikol Pashinyan
  • Azerbajxhani — presidenti Ilham Aliyev
  • Bahrejni — sheiku Isa bin Salman Al Khalifa
  • Bullgaria — kryeministri Rosen Zhelyazkov
  • Emiratet e Bashkuara Arabe — kryetari i Autoritetit të Çështjeve Ekzekutive Khaldoon Al Mubarak
  • Hungaria — kryeministri Viktor Orban
  • Indonezia — presidenti Prabowo Subianto
  • Jordania — zëvendëskryeministri Ayman Safadi
  • Katari — kryeministri Sheiku Mohammed bin Abdul Rahman Al Thani
  • Kazakistani — presidenti Kassym‑Jomart Tokayev
  • Kosova — presidentja Vjosa Osmani
  • Mongolia — kryeministri Gombojavyn Zandanshatar
  • Maroku — ministri i Jashtëm Nasser Bourita
  • Pakistani — kryeministri Shehbaz Sharif
  • Paraguai — presidenti Santiago Pena
  • Turqia — ministri i Jashtëm Hakan Fidan
  • Uzbekistani — presidenti Shavkat Miromonovich Mirziyoyev

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë