Shendet

Daja apel prindërve: Vaksinoni djemtë kundër HPV-së, forcohet imuniteti i popullatës

Nga Gazeta Si- Djemtë e moshës 13-vjeçare në Shqipëri janë përfshirë për herë të parë në programin kombëtar të vaksinimit kundër HPV-së (virusi i Papilomës humane).

Që në ditët e para të këtij viti, ka nisur aplikimi i vaksinës kundër HPV-së te djemtë e moshës 13 vjeç, si një hap në politikat e parandalimit të sëmundjeve infektive dhe onkologjike.

Rovena Daja, drejtuese e programit të vaksinimit pranë Institutit të Shëndetit Publik, bën thirrje për prindërit që të vaksinojnë djemtë kundër HPV-së.

Sipas saj, “HPV nuk prek vetëm vajzat. Përvoja ndërkombëtare tregon se vaksinimi i të dyja gjinive çon në më pak infeksione dhe hedh bazat për eliminimin e kancerit të qafës së mitrës”.

“Kur djemtë vaksinohen, ulet ndjeshëm përhapja e HPV, reduktohet transmetimi i virusit te partnerët dhe forcohet imuniteti i popullatës, duke mbrojtur edhe ata që nuk janë vaksinuar”, thuhet në apelin e saj.

Gjithashtu, Daja shprehet se “HPV është një infeksion viral që mund të shkaktojë sëmundje, lezione prekanceroze, madje në të ardhmen mund të shkojë deri në kancer, jo vetëm te vajzat, por edhe te djemtë”.

Prej nëntorit të vitit 2022, në kuadër të kalendarit kombëtar të vaksinimit aplikohet te vajzat 13 vjeç. Aktualisht, që në ditët e para të janarit 2026, kjo vaksinë aplikohet edhe te djemtë 13 vjeç.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë