Nga Gazeta ‘Si’- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, komentoi 21 janarin e 15 viteve më parë, ku katër qytetarë humbën jetën pas një proteste në bulevardin para kryeministrisë që asokohe drejtohej nga ai.
Ai ricikloi akuzat e vjetra kundrejt Edi Ramës se është përgjegjës për ngjarjen, duke iu rikthyer përgjimit mes zv.kryeministrit të asaj kohe Ilir Metës dhe Dritan Priftit, për të cilin tha se ishte i falsifikuar. Berisha mbrojti edhe Gardën që lëshoi plumba drejt protestuesve duke vrarë 4 prej tyre dhe duke qëlluar qindra të tjerë. Sipas Berishës, Garda nuk bëri gjë tjetër veçse zbatoi detyrën.
Ai tha se atë ditë u rrethua në zyrë dhe se gjithçka sipas tij ndodhi me axhendë të Ramës.
“Berisha u rrethua në zyrë. Përgjegjësia ime se unë kisha trajtuar me standardet më demokratike 752 protesta të opozitë pa asnjë cenim. Përgjegjësia ime se hidhnin plumba dhe gurë, e mohoi sot, por janë të dokumentuara, janë në dritare, drejt kryeministrit që ishte në detyrë. Unë nuk blindoja dyer, blind isha, vetë nuk e lëshoja zyrën. Nuk bëja këtë frikacakun që ia mbath”, tha Berisha.
Sipas Sali Berishës, Edi Rama kërkon të përdor viktimat e 21 janarit, ‘për të shpëtuar Lindën e tij, veten, Mirlindën e tij, Lubinë e tij’
“Lotët që derdh janë lotët e krokodilit. Edi Rama i solli ata si mish për top për pushtetin e tij. I solli si mish për top, për pushtetin e tij.
Ina Rama e hetoi çështjen, por nuk guxoi kurrë të thërrasë Edi Ramën.
Sa u dënuan aty, por nuk gjeti asnjë shkak se aty kishte qëllime, ku Garda qëlloi në kushtet e ligjit. Garda ka zbatuar ligjin, ndaj dhe ajo propozoi vendimet.
Kjo është historia.
Por Edi Rama kërkon të përdor këto viktima, për të shpëtuar Lindën e tij, veten e tij, Mirlindën e tij, Lubinë e tij.
Asnjë qëllim tjetër sepse kësaj here kjo katërshe famëzezë është në gjykim, jo vetëm në Skap, por është në gjykim në të gjitha instancat, në të opinionin publik ndërkombëtar. Nuk ka më iluzione. Këto dosje kanë një emër, dosjet e Edi Ramës.
E kam mësuar nga kontaktet që kam, kjo është marrë, po analizohet kudo”, tha ai.
Më 21 Janar të vitit 2011 gjatë protestës që u zhvillua nga opozita e asaj kohe përpara Kryeministrisë humbën jetën Aleks Nika, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Hekuran Dedja, të cilët 10 vite më vonë u shpallën nga qeveria socialiste “Dëshmorë të Atdheut”.
Kujtojmë se Gjykata e Lartë ka vendosur më 12 mars 2024 që dosja e 21 janarit të hetohet nga SPAK duke pranuar kërkesën e familjarëve të viktimave. Për këtë arsye, SPAK ka marrë në pyetje familjarë të viktimave, drejtues të gardës si dhe organizatorë të protestës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



