Taksa

Tatimet ‘ofensivë’ ndaj ndërtuesve: Ulin vlerën e pronës dhe shesin me para në dorë!

Nga Gazeta ‘SI’ – Administrata Tatimore ka shpallur një “ofensivë” ndaj sektorit të ndërtimit dhe ka vënë në shënjestër rreth 9 mijë biznese aktive (gjysma e të cilave operojnë në Tiranë), nga kontrollet e të cilëve zbuloi skemat më të zakonshme të evazionit fiskal.

Nëndeklarimi i pagave, ulja e vlerës reale të pronës, çmimet e referencës dhe shitjet në cash, i, këto janë vlerësuar si shkeljet më të zakonta në këtë sektor.

Shifrat e raportuara nga Tatimet flasin për një situatë alarmante ku nga 64 mijë punonjës që ka gjithsej ky sektor, rreth 55% e tyre rezultojnë me rroga të deklaruara deri në 50 mijë lekë, ndërsa pagën mesatare të vendit e kalojnë vetëm 10% e të punësuarve. Këto paga vlerësohen si të nëndeklaruara qëllimisht për të shmangur tatimin në burim prej 15% dhe sigurimet shoqërore.

Konflikti i interesit dhe shkeljet ligjore shtrihen edhe te marrëdhëniet e ndërlikuara me nënkontraktorët, ku plani zbulon skema të mirëfillta të fryrjes së shpenzimeve përmes përdorimit të faturave fiktive për materiale ndërtimi, me qëllim uljen artificiale të fitimit të tatueshëm.

Në këtë kuadër, Administrata Tatimore ka nisur një bashkëpunim të ngushtë me Inspektoratin e Punës dhe Institutin e Sigurimeve Shoqërore për të kryer kontrolle të befasishme në kantiere. Këto grupe të përbashkëta inspektimi do të krahasojnë në kohë reale numrin e punëtorëve që gjenden fizikisht në objekt me listëpagesat zyrtare të dorëzuara në sistem. Sipas kësaj logjike të re kontrolli, çdo metër kub beton i hedhur në kantier duhet të përputhet matematikisht me faturat e blerjes së lëndës së parë dhe me fuqinë punëtore të deklaruar për realizimin e atij volumi punimesh.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë