Politike

Seanca për rritjen e pagave të gjyqtarëve në Kushtetuese, reagon Rama: Turp kombëtar nëse miratohet

Një farsë të shëmtuar e ka cilësuar kryeministri Edi Rama seancën e cila po zhvillohet sot në Gjykatën Kushtetuese për rritjen e rrogave të gjyqtarëve. Në një reagim në X kreu i qeverisë shprehet se gjyqtarët synojnë të thyejnë piramidën shtetërore të pagave, ndonëse janë tashmë kategoria më e paguar në vend.

“Sot Gjykata Kushtetuese po zhvillon (fatkeqësisht pa transmetim direkt për shkaqe teknike) farsën më të shëmtuar të imagjinueshme, e cila i është imponuar nga dy shoqata gjyqtarësh, të cilët duan të rrisin rrogat e tyre me gjyq, duke thyer piramidën shtetërore të pagave”, shkruan Rama, duke shtuar se, sipas tij, gjyqtarët kërkojnë të marrin kompetencat kushtetuese të qeverisë dhe parlamentit për politikën e pagave. Rama thotë se kjo përbën një skandal logjik, moral, ligjor dhe kushtetues, teksa uroi që Kushtetuesja të mos e lejojë të kthehet në një turp kombëtar.

“Tani këta duan që në përjetësi t’u jepet e drejta ta rrisin vetë rrogën sa herë rriten pagat e tjera, pra Shqipëria të jetë përgjithmonë i vetmi vend në botë ku gjykatësit paguhen më shumë se sa çdokush tjetër duke marrë kompetencat kushtetuese të qeverisë e të parlamentit për politikën e pagave, ky është një skandal logjik, moral, ligjor dhe kushtetues, të cilin uroj që Gjykata Kushtetuese të mos e lejojë kurrësesi të kthehet në një turp kombëtar! Respekte për SPAK-un që nuk iu bashkua kësaj marrëbabëzie në emër të pavarësisë së gjyqësorit”, shkruan Rama. 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë