Nga Gazeta ‘SI’ – Administrata Tatimore ka detajuar skemën e re të mbështetjes për prodhuesit vendas, ku fermerët mund të përfitojnë një rimbursim prej 10% mbi vlerën e produkteve të tyre. Ky proces, i cili synon të lehtësojë kostot e inputeve bujqësore, kalon përmes një procedure specifike dokumentimi të njohur si autofaturimi.
Si funksionon autofaturimi?
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve sqaron se barra e dokumentimit bie mbi blerësin e regjistruar për TVSH-në (siç janë grumbulluesit, përpunuesit ose agroturizmet e certifikuara). Ky i fundit lëshon një autofaturë në emër të fermerit për mallrat ose shërbimet e blera.
Në këtë faturë duhet të shënohet domosdoshmërisht NIPT-i i fermerit dhe të gjithë elementet e tjera ligjore. Kjo vlerë fature shërben më pas si bazë për llogaritjen e kompensimit prej 10%.
Për të qenë pjesë e kësaj skeme, prodhuesit bujqësorë duhet të përmbushin katër kritere kyçe; Qarkullimi vjetor nuk duhet të kalojë kufirin minimal të regjistrimit të TVSH-së. Produktet ose shërbimet duhet të jenë rezultat i drejtpërdrejtë i punës së tyre bujqësore. Mallrat duhet t’u shiten personave të tatueshëm që nuk bëjnë pjesë vetë në skemat e kompensimit. Fermeri duhet të jetë i pajisur me NIPT, por pa pasur detyrim për deklarim periodik të TVSH-së.
Kompensimi llogaritet mbi bazën e vlerës totale të furnizimeve për një periudhë 6-mujore. Për të arkëtuar paratë, fermeri duhet të dorëzojë kërkesën elektronikisht ose me postë pranë Tatimeve, duke bashkëngjitur kopjen e faturave të lëshuara nga blerësi (autofaturat) dhe numrin e llogarisë bankare.
Kalendari i aplikimeve për vitin 2026 ndahet në dy periudha, Janar-Qershor 2026: Aplikimi bëhet deri më 31 dhjetor 2026. Për periudhën Korrik-Dhjetor 2026: Aplikimi bëhet deri më 30 qershor 2027.
Sipas rregullores, administrata tatimore është e detyruar të kryejë kalimin e fondeve në llogarinë e fermerit brenda 30 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



