Nga Gazeta Si- Shqipëria regjistroi javën e parë të muajit janar mbi 13 mijë raste të sëmurësh të prekur nga virozat respiratore dhe Covid-19.
Sipas ekspertëve, rritja e kurbës së rasteve tregon se po shkojmë drejt “vijës së kuqe” të pandemisë e cila ka pragun 15 mijë raste në javë.
“Nga totali i rasteve të regjistruara në sistemin e survejancës së ISHP, 80% e tyre janë raste me grip, çka tregon se Shqipëria tashmë gjendet “nën pushtetin” e gripit”, thonë ekspertët për Gazetasi.al.
Situata paraqitet më problematike tek fëmijët, kryesisht mosha pediatrike.
Mbi 300 pacientë të vegjël paraqiten çdo ditë në urgjencën e spitalit të Pediatrisë në QSUT.
Mjekët thonë se moshat pediatrike 0-6 vjeç janë rastet më të shpeshta që kërkojnë ndihmë të specializuar mjekësore, pasi vijnë me simptoma të rënda, temperaturë e lartë, kollë dhe në disa raste dhe diarre.
Sipas mjekes pediatre, Suada Hilaj, prej muajit dhjetor, kapacitetet e urgjencës dhe spitalit pediatrik janë rritur ndjeshëm. Ndikim ka patur dhe ulja e ndjeshme e temperaturave gjatë muajit janar.
Mjekja Hilaj thotë se megjithëse simptomat janë pothuajse të njëjta, nga testet e kryera apo analizat, konstatohet në dominancë gripi i cili këtë vit qarkullon në dy variante, janë tipi Australian A/H3 dhe A/H1, ku varianti A/H3 ose gripi Australian ka rritur ndjeshëm numrin e të prekurve në rang vendi.
Dominimi i gripit të tipit A/H3 (gripi Australian) po e rëndon edhe më shumë situatën, pasi ky variant shoqërohet me simptoma të forta dhe komplikacione më të shpeshta.
Pacientët e prekur kanë raportuar temperaturë të lartë deri në 38–40 gradë Celsius, ethe, djersitje, dhimbje të forta koke, dhimbje muskujsh dhe kyçesh, lodhje të theksuar, dobësi, kollë të thatë, dhimbje fyti, rrufë ose hundë të bllokuar, humbje oreksi, si dhe nauze, të vjella apo diarre, më shpesh te fëmijët.
Te grupet e rrezikut, përfshirë të moshuarit, fëmijët e vegjël, gratë shtatzëna dhe personat me sëmundje kronike, gripi A/H3 mund të shoqërohet më shpesh me komplikacione, si bronkiti, pneumonia dhe përkeqësimi i sëmundjeve ekzistuese, veçanërisht ato të zemrës, mushkërive dhe diabetit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



