Gazeta Si – Një tragjedi e rëndë hekurudhore ka goditur Spanjën, ku dy trena me shpejtësi të lartë kanë dalë nga shinat në Andaluzí, pranë lokalitetit Adamuz, në provincën e Kordobës.
Sipas të dhënave zyrtare të Guardia Civil, bilanci paraprak flet për të paktën 39 viktima dhe dhjetëra të plagosur.
Guvernatori i Andaluzisë, Juanma Moreno, ka konfirmuar se 150 persona morën mjekim në spitalet e rajonit, prej të cilëve 11 ndodhen në gjendje shumë të rëndë. Autoritetet bëjnë me dije se disa pasagjerë janë ende të bllokuar brenda vagonëve të përfshirë në aksident.
Ministri spanjoll i Transportit, Óscar Puente, tha se të gjithë të mbijetuarit janë nxjerrë, por ai saktësoi se numri i të vdekurve nuk është ende përfundimtar. Autoritetet thanë se 152 persona të tjerë u plagosën, 24 prej të cilëve janë në gjendje të rëndë.
Puente shtoi se shkaku i daljes nga shinat është i panjohur, të cilin ai e përshkroi si “jashtëzakonisht të çuditshëm”, duke pasur parasysh se, tha ai, ajo pjesë e linjës hekurudhore sapo ishte rinovuar dhe treni ishte “praktikisht i ri”.
Treni i përkiste Iryo-s, një kompani spanjolle në pronësi të FS International, pjesë e grupit shtetëror hekurudhor italian Ferrovie dello Stato.
Dalja nga shinat ndodhi të dielën në mbrëmje në orën 7:39 pasdite. Treni ishte nisur një orë më parë nga Malaga dhe po shkonte drejt Madridit.
Pranë Adamuzit, gjashtë vagonët e fundit (nga tetë gjithsej) dolën nga shinat, duke përfunduar në shinat që transportonin një tren që vinte përballë – që nisej nga Madridi dhe drejtohej për në Huelva – i cili në atë kohë po udhëtonte me 200 kilometra në orë.
Gjashtë vagonët u përplasën me këtë tren, duke bërë që ai të dilte nga shinat dhe të binte poshtë një argjinature disa metra të lartë. Midis të vdekurve ishte edhe shoferi 27-vjeçar i trenit që po shkonte drejt Huelvës.
Disa pasagjerë të mbijetuar, që udhëtonin në vagonët më larg aksidentit, i thanë shtypit lokal se dëgjuan zhurma dhe dridhje shumë të forta, valixhe që binin nga dollapët sipër kokës, dhe se panë vagonët të përmbysen pasi zbritën nga treni.
Dalja nga shinat ndodhi në një pjesë të drejtë të rrugës, një arsye tjetër pse Ministri i Transportit Puente shprehu habi.
Ai tha se punimet e rinovimit në atë pjesë të linjës hekurudhore kishin përfunduar në maj dhe se të gjithë ekspertët e konsultuar thanë se ishin “jashtëzakonisht të hutuar”. Hetimet kanë filluar tashmë për të sqaruar rrethanat e incidentit.
Ndërkohë, pasagjerët në të dy trenat, mbi 400 persona në total, janë evakuuar dhe shërbimi hekurudhor në atë linjë është pezulluar: Puente tha se ndërprerjet në linjë mund të vazhdojnë për javë të tëra.
Ndërkohë kryeministri Edi Rama i ka dërguar një mesazh ngushëllimi homologut të tij spanjoll, Pedro Sanchez, pas tragjedisë hekurudhore në Adamuz.
Rama i shprehu ngushëllimet në emër të popullit shqiptar dhe atij vetë personalisht duke theksuar se në këto momente dhimbjeje jemi pranë popullit dhe qeverisë spanjolle.
“I dashur Pedro, me trishtim të thellë kam marrë lajmin për aksidentin tragjik hekurudhor të ndodhur në Adamuz. Në emër të popullit të Shqipërisë dhe në emrin tim personal, dëshiroj të shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjet e viktimave dhe solidaritetin tim me popullin dhe Qeverinë e Spanjës në këtë moment dhimbjeje. Mendimet tona janë me ata që kanë humbur të dashurit e tyre dhe me të gjitha ekipet që po punojnë pa u lodhur në përballimin e kësaj tragjedie”, tha Rama në X.
39 persona kanë humbur jetën si pasojë e përplasjes dhe daljes nga shinat të dy trenave të shpejtësisë së lartë në Spanjë. 122 persona të tjerë pësuan lëndime ku 11 prej tyre ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



