Lëvizja “Shqipëria Bëhet” e drejtuar nga Adriatik Lapaj mbajti sot protestën e radhës në Bulevardin para Kryeministrisë, pas një qëndrese gati njëmujore dhe disa protestave të mëparshme.
Mbështetës të “Shqipëria Bëhet” u panë në bulevard, teksa tundnin flamuj dhe lëshonin thirrje kundër qeverisë.
Me thirrjet “Edi Rama frikacak” dhe “Dorëheqje”, ata iu drejtuan me marshim kryeministrisë në bulevardin e madh.
Gjatë fjalës së mbajtur para protestuesve, Lapaj i bëri apel qytetarëve që të bashkohen për t’i dhënë fund, sipas tij, qeverisjes së Edi Ramës. Ai e cilësoi situatën në Shqipëri si një “shtet turpi” dhe deklaroi se një qeveri që, sipas tij, është vënë në shërbim të krimit, duhet përballur me një reagim të fortë dhe të organizuar.
Protesta zgjati për disa orë ku nuk munguan edhe momente tensioni, ku një punonjës policie u godit nga një qese me miell.
Më herët Lapaj është përplasur disa herë me forcat e Policisë, të cilat e kanë larguar si dhe i kanë hequr edhe mjetet mbështetëse si karrige, batanije, çadra dhe deri te ngrohëset.
Ashtu sikurse blloku opozitar, Lapaj kërkon dorëheqje të qeverisë, qeveri teknike dhe zgjedhje të parakohshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



