Ish-Kryeministri dhe kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar sot qeverinë për “degradimin total të narko-shtetit” dhe për kontroll të drejtësisë nga Kryeministri Edi Rama. Në një komunikim drejtuar qytetarëve përmes rrjeteve sociale, Berisha tha se Rama ka marrë masa për të bllokuar veprimet e SPAK-ut dhe për të vendosur gjithçka nën kontroll.
“Zhvillimet në vend faktojnë degradimin total të narko-shtetit,” tha Berisha, duke shtuar se skandalet e qeverisë nuk kanë të sosur.
Ai akuzoi Ramën për përdorim të fondeve personale për imazh dhe për ndërhyrje në parlament për të bllokuar opozitën dhe drejtësinë.
“Pra, de facto ai ka pushtuar parlamentin dhe po e përdor atë në një grusht shteti për të marrë pushtetin e drejtësisë,” tha Berisha.
Ai theksoi se “fjala është vetëm e qytetarëve”, të cilët duhet të ngrihen për të shpëtuar Shqipërinë nga regjim që po vjedh buxhetin dhe pronat publike.
Berisha i bëri thirrje për bashkëpunim qytetarëve dhe opozitës në një betejë përfundimtare kundër “përfaqësuesve të narko-shtetit”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



