Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka njoftuar se duke nisur nga 16 janari kanë filluar kontrollet në terren për nëndeklarimin e pagave, me qëllim ‘pikasjen’ e ndërtuesve të cilët nuk deklarojnë pagat reale të punonjësve të tyre.
Kontrollet do të përfshijnë vetëm tek ato subjekte që nuk kanë respektuar pagat dysheme të caktuara nga tatimet prej 1 dhjetorit 2025. Për shkak të deklarimit të pagave më të ulëta sesa realisht janë, Tatimet muajin e kaluar publikuan listën e pagave për sektorin e ndërtimit, në varësi të çdo profesioni.
Me përjashtim të sanitarëve që do të kenë si dysheme pagën 60 mijë lekë, të gjithë të punësuarave e tjerë nuk duhet tu deklarohet rrogë nën 80 mijë lekë. Me këtë listë të tatimeve pagat dysheme në ndërtim e rritin automatikisht rrogën mesatare të sektorit nga 68 mijë lekë në 85 mijë lekë. Çdo biznes që nuk e respekton këtë vendim të tatimeve, do të konsiderohet me risk për nëndeklarim dhe do të jetë subjekt kontrollesh.
“Mosdeklarimi i punonjësve dhe nëndeklarimi i pagave të tyre konsiderohet një shkelje e rëndë pasi cënon garantimin e sigurimeve shoqërore dhe pensioneve. Për këtë qëllim ndaj çdo tatimpaguesi të vlerësuar me këtë risk do ndërmerren hetime dhe kontrolle të thelluara për çdo proces të aktivitetit të tyre, duke përfshirë edhe transaksionet me burime të ardhurash të dyshimta në bashkëpunim edhe me agjenci të tjera ligjzbatuese”, njofton Drejtoria e Tatimeve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



