Bota

Von der Leyen: Po shqyrtojmë sanksione të reja ndaj Iranit

Nga Gazeta ‘Si’– Kryetarja e Komisionit Europian ka deklaruar se Bashkimi Europian po shqyrton vendosjen e sanksioneve të tjera ndaj Iranit, duke e cilësuar vrasjen e të rinjve si një tragjedi njerëzore.

Duke folur për gazetarët në Limassol, Ursula von der Leyen u shpreh se ajo që po ndodh në Iran është e papranueshme.

“Ajo që po ndodh në Iran është e neveritshme dhe vrasja e të rinjve është një tragjedi njerëzore,” tha ajo.

Aktualisht, BE-ja ka vendosur një sërë sanksionesh të gjera ndaj Iranit, përfshirë masa kufizuese ndaj më shumë se 230 zyrtarëve iranianë, efektivëve të policisë, gjyqtarëve, si dhe ndaj mbi 40 institucioneve shtetërore, përfshirë policinë e moralit dhe burgjet.

Sanksionet e Bashkimit Europian propozohen nga Komisioni Europian, por duhet të miratohen njëzëri nga të 27 shtetet anëtare.

Ndërkohë, edhe pse BE-ja ka vendosur sanksione ndaj disa anëtarëve të Gardës Revolucionare Islamike, ajo nuk ka arritur asnjëherë të bjerë dakord për ta shpallur këtë strukturë si organizatë terroriste.

Von der Leyen tha se BE-ja po shqyrton thellimin e mëtejshëm të sanksioneve ndaj Iranit, duke theksuar se ato tashmë po japin efekt.

“Ne po shohim mundësinë për të thelluar sanksionet ndaj Iranit. Ato janë goditëse dhe po japin rezultat,” u shpreh ajo.

Sipas saj, sanksionet ndihmojnë për të ushtruar presion ndaj regjimit iranian dhe për të nxitur ndryshime.

“Sanksionet ndihmojnë që ky regjim të shkojë drejt fundit dhe të ndodhë një ndryshim,” tha von der Leyen.

Ajo shtoi se protestuesit kundër regjimit iranian po kërkojnë që Garda Revolucionare Islamike dhe persona të tjerë përgjegjës për mizoritë të futen në listën e zezë.

“Ata po na kërkojnë që t’i fusim në listë dhe, duke parë atë që po ndodh në Iran, e kuptoj plotësisht sa e rëndësishme është kjo. Po, ne do ta bëjmë,” deklaroi ajo.

Von der Leyen nuk dha detaje të mëtejshme mbi hapat konkretë që pritet të ndërmerren.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë