Politike

Rama: Studentët e Tiranës do të mund të jetojnë edhe në kompleksin studentor rezidencial në Durrës

Nga Gazeta Si- “Duke pasur parasysh se treni do të jetë në funksion së shpejti, do të jetë e thjeshtë që studentët në Tiranë të strehohen në kampusin e Durrësit, prandaj do ndërtojmë një kompleks studentor rezidencial”, tha Rama në një takim me rektorët e universiteteve.

Rama përmendi edhe çmimet e larta të qirave si një arsye pse studentët që studiojnë në Tiranë të shkojnë të jetojnë në Durrës.

Rama tha se është hapur procesi për kampusin e universitetit Aleksandër Moisiu.

Ai ndër të tjera tha se ligji për arsimin e lartë duhet të riformatohet, duke nisur me përgatitjen e bazës për korrektimet që do të kryhen.

“Është koha për të rivizituar ligjin e arsimit të lartë, pasi ka kaluar një periudhë e mjaftueshme për të reflektuar ndryshimet që ka sjellë koha. Ligji aktual është shkruar me kontributin tuaj dhe ma ha mendja se ky do të jetë rasti përsëri. Shpresoj e besoj që edhe për shkak të eksperiencës dhe se në këtë rast nuk bëhet fjalë për përmbysje, por korrektime, do të jetë e mundur ta bëjmë në një kohë të arsyeshme dhe nuk do presim sesionin tjetër të parlamentit për ta përgatitur bazën, pastaj procedura parlamentare mund të jetë në fund të sesionit, por ajo që është e rëndësishme është të organizohemi në një grup të përbashkët”, u tha Rama rektorëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë