Nga Gazeta ‘Si’- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e ka quajtur sulm politik hetimin pasuror ndaj tij, ku disa figura të PD janë thirrur në SPAK për t’u pyetur mbi financimin e Kuvendit Kombëtar të 11 dhjetorit 2021, që u mbajt në stadium.
Berisha tha se sipas tij hetimi i pasurisë është bërë me lupë, ndërsa hodhi akuza ndaj prokurorëve të SPAK që po merren me këtë çështje, duke thënë se janë primitivë dhe mashtrojnë publikisht.
“Hetimi pasuror i Berishës, është bërë me lupë, është finalizuar dhe është dërguar me kohë në gjykatë. Ky hetim politik që bëhet, nuk ka lidhje me asnjë hetim pasuror të Sali Berishës dhe të fëmijëve të tij. Është një hetim i mirëfilltë politik për Kuvendin e Rithemelimit për të cilin unë nuk kam asnjë vërejtje. Unë kam thënë dhe them, prokuroria duhet të jetë e lirë dhe ne qëndrojmë të hapur për çdo lloj veprimi. Por lidhja është mashtrim që ish xhelati i sigurimit të shtetit, në bashkëpunim me Dumanin i bënë çështjes. Janë primitiv, sepse në qoftë se ata do ta bënin atë hetim, unë do ta quaja gjë normale.
Por faktin që ata nuk kanë çfarë të hetojnë, duan ta lidhin me diçka që të gënjejnë dëshmon se ata po bëjnë një hetim politik”, tha Berisha.
Kreu i PD tha se nuk dinte asnjë shifër se sa ka shkuar fatura e Kuvendit Kombëtar, ndonëse shprehet se çdo faturë është e deklaruar.
“Është deklaruar çdo gjë, çdo financim i çdo personi. Kjo është deklaruar, nuk ka asgjë të fshehur. Dhe personat që e kanë financuar e kanë deklaruar atë sapo janë pyetur. Dhe ata besoj se po thërrasin emra, pra e dinë që këta kanë deklaruar. Kjo është e tëra. Asnjë shifër nuk kam parasysh”, tha Berisha.
Kujtojmë se gjatë kësaj jave, SPAK ka marrë në pyetje deputetin Belind Këlliçi dhe sekretarin për Diasporën në PD, Indrit Hoxha, në lidhje me hetimin që po bën për Kuvendin e Rithemelimit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



