Politike

Çështja Balluku/ Berisha: Rama po shkatërron provat pa ndërprerje!

Nga Gazeta ‘Si’- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha pretendon se manipulimi i provave për çështjen e Belinda Ballukut vazhdon.

Në konferencën me gazetarët, Sali Berisha u shpreh se janë intimiduar dëshmitarë, të cilët sipas tij ose janë detyruar të ndryshojnë dëshminë, ose të thonë ato që janë porositur.

“Makineria e manipulimit dhe e shkatërrimit të provave dhe dokumenteve që fajësojnë inkriminimin e plotë dhe total të Edi Ramës, Ballukut dhe bashkëpunëtorëve të tyre në një seri aferash shumë të rënda, që shkojnë në miliarda euro vjedhje të taksapaguesve shqiptarë, vazhdon pa ndërprerje. Ndërkohë intimidohen dhe thirren si në zyra të policisë sekrete punonjës të administratës, të cilët ose duhet të ndryshojnë dëshmitë e tyre ose nuk duhet të dëshmojnë apo të thonë ato që porositen. Presion i jashtëzakonshëm bëhet mbi Gjykatën Kushtetuese. Pra, Edi Rama për të mbrojtur veten e tij, krimet e tij, po shkon drejt grushtit të shtetit, asgjësimit de facto të drejtësisë në Shqipëri”, u shpreh kreu i PD.

Berisha i bëri thirrje Ramës që të japë dorëheqjen, ndërsa qytetarët i ftoi të dalin në protestën kombëtare të 24 janarit.

“Duke dënuar me forcën më të madhe këto qëndrime të papërgjegjshme, i kërkoj atij dorëheqjen dhe largimin e tij nga posti i kryeministrit. Ai është sot njeriu më i rrezikshëm për shqiptarët, dhe jo vetëm për shqiptarët, por me lidhjet e tij të krimit ai përbën një rrezik të madh për rajonin dhe më gjerë.

PD u bën thirrje shqiptarëve, sot më shumë se kurrë të flasin me zemërimin e tyre, të flasin me guximin e tyre, të flasin me ndjenjat e dashurisë së tyre për këtë vend dhe të ardhmen e shqiptarëve me datën 24 janar në protestën kombëtare të thirrur nga opozita për këtë qëllim”, tha Berisha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë