Menaxhim

Miratohet ligji i ri i koncesioneve: Vendoset kufi monetar! Studim fizibiliteti për çdo kontratë

Nga Gazeta ‘SI’ – Një ligj i ri për koncesion dhe PPP-të ka hyrë në fuqi, ku bëhet me detyrim paraqitja e një studimi fizibiliteti për çdo kontratë publike. Në studimin e fizibilitetit duhet të përcaktohet vlera totale e projektit dhe tarifat shtesë kur koncesioni të nisë zbatimin, përveç se në fushën e sportit apo shëndetësisë.

Në studimin e fizibilitetit, qeveria thekson se duhet të merren parasysh, interesi publik mbrojtja e mjedisit, qëndrueshmëria, përshtatshmëria financiare e projektit, treguesit e vlerës për para, risqet direkte e indirekte financiare si dhe interesi i tregut dhe aftësia për të tërhequr operatorët e interesuar ekonomikë dhe mbështetësit financiarë.

Një pikë e rëndësishme e ligjit të ri është vendosja e një kufiri monetar për PPP-të e koncesionit, që miratohet nga kabineti qeveritar.

Por ligji i miratuar ndryshe nga drafti fillestar, nuk vendos kufizime për “propozimet e pakërkuara”, duke e lënë këtë mundësi të hapur për çdo operator ekonomik. Fillimisht, ministria e Ekonomisë e pati kufizuar këtë mundësi vetëm në sektorët me rëndësi jetike.

Ligji i ri përfshin një nen të dedikuar parandalimit të korrupsionit dhe konfliktit të interesit, ndërsa sjell përcaktime të reja në lidhje me konfiedencialitetin, një klauozlë që shpesh përdoret për të mos bërë publike të dhënat e kontratave koncesionare. Sipas propozimeve të reja, operatori ekonomik nuk mund të klasifikojë si konfidencial: çmimin e ofertës, listën e çmimeve, katalogun, informacionin lidhur me kriteret e përzgjedhjes së ofertës, dokumentet publike, fragmente nga regjistrat publikë, etj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë