Politike

Berisha dhe e ardhmja e PD: Nuk do lë pasardhës as djalin e as vajzën time

Gazeta Si – Gjatë bashkëbisedimit me demokratët e Lezhës, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha mori një pyetje të sikletshme nga një simpatizant në lidhje me të ardhmen e partisë sa i takon drejtimit.

“Doktor, kaq e vështirë është të dorëzosh stafetën?”, ishte pyetja e qytetarit, por Berisha u përgjigj se pasardhësi i tij, nuk do të jetë kurrë djali apo vajza e tij.

Pyetje nga qytetari: “Kaq e vështirë është të dorëzohet stafeta doktor, sepse jeni një person që keni dhënë prova në 2013 si një burrë shteti, e ke dorëzuar, por kam dyshimin se ke frikë se mos vjen ndonjë Lul tjetër, edhe për këtë ke arsye?”

Ndërsa Berisha iu përgjigj: “Të them me sinqeritet, të vetmen gjë që nuk mund ta bej kurë, pasardhësin. Nuk është reale, nuk kam ndërmend të lë pasardhës, as vajzën as djalin tim, pasardhësin ua lë ju, do ta zgjidhni ju atë që të besoni më shumë”, duke nënkuptuar se drejtuesi i PD do të zgjidhet nga vetë demokratët.

Mes të tjerash, kryedemokrati tha se tolerimi i firmave piramidale pas viteve ’90 kur drejtonte vendin, ishte gabimi më i madh i qeverisjes së PD në atë kohë.

Megjithatë ai shtoi se nuk ishte gabim i qëllimshëm, por sipas tij, erdhi nga mosdija. Kreu i opozitës shtoi se pavarësisht gabimit fatal, qeveria e atëhershme i dha zgjidhje problemit në mënyrën më të drejtë të mundshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë