Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish ndaj deklaratave të gazetarit Blendi Fevziu, i cili pretendoi se disa ministra ndodhen jashtë vendit për udhëtime private gjatë fundjavave, ndërsa në televizione transmetohen pamje inspektimesh sikur ata janë në punë.
Në një reagim publik, Rama e cilësoi këtë deklaratë sërish si gënjeshtër dhe shpifje, duke theksuar se Fevziu nuk solli asnjë provë për pretendimin e tij dhe i bëri thirrje t’u kërkojë ndjesë publike shikuesve.
Sipas Ramës, kjo u hodh poshtë edhe nga vetë Fevziu, i cili reagoi pa paraqitur fakte konkrete.
Rama tha se në kohën kur u bënë këto deklarata, një sërë ministrash kanë qenë sipas tij të angazhuar ditë e natë në terren, gjatë situatës së rënduar nga kushtet atmosferike të javëve të fundit.
Mandej ai akuzoi Fevziun për keqinformim të publikut dhe për abuzim me besimin e shikuesve të emisionit “Opinion”.
Reagimi i plotë:
Mesa kuptoj dëbora e kudondodhur dhe kalendari i ngjeshur i influencerit, e penguan Blendi Fevziun të merrej seriozisht me faktin që i gënjeu hapur shikuesit e tij besnikë, kur nga ekrani i Opinionit u tha, “kam fakte që të paktën 7 ministra janë në udhëtime private jashtë shtetit të shtunave e të dielave, dhe lënë kasetat me inspektime nëpër tv sikur janë në punë… Ju’a garantoj!”
Që kjo ishte një gënjeshtër e llojit shpifje, këtë nuk e mohoi dot as vetë Fevziu, duke reaguar ndaj postimit tim pa sjellë asnjë fakt mbi këtë sajesë të hedhur nga dritarja e Opinionit në shtëpitë e shqiptarëve, bash kur një sërë ministrash ishin ditë e natë rrugëve gjatë vorbullës atmosferike të javëve të fundit.
Unë e dija që Fevziu gënjeu, siç e di kur gënjejnë – shumë më shumë dhe shumë më shpesh se sa ai – llazoret demokratikase të sallonit të tij ose daha më keq, konkurentet e tyre tek salloni i qimeve të opozitës apo le pastaj barisalifallinjtë e udhëheqjes demokratikase.
Por duke qenë se tek salloni i Fevzos shkoj edhe vetë, kur vjen ora e ndonjë debati me përfaqësuesin më të gëlltitshëm të çetës opozitare, e kam detyrim t’i bëj apel Fevziut që t’i kërkojë falje shikuesve të përbashkët dhe të mos fshihet pas analizave të motit, me hilenë që çudia tre ditë zgjat!
Shumica dërrmuese e atyre shikuesve nuk janë votuesit e mi, madje janë tifozë kundërshtarë, por ama ata janë edhe shikuesit e mi, të cilët Fevziu i keqtrajtoi brutalisht me atë shpifje plateale, ndërkohë që në ekranin e Opinionit ata janë në besën e tij. Dhe nëse Fevziu nuk i mbron dot nga shpifësit që fton aty në çdo debat politik, minimalisht nuk duhet t’i abuzojë edhe vetë apo jo?
Do thoni ju po se mos është e para herë dhe të drejtë keni, por ama ka një moment kur duhet ndaluar e kërkuar një falje, qoftë edhe njëherë të vetme, se ky avazi i bubullimave të shpifjeve e i gërrgërrimave të akuzave nga mëngjesi në mesnatë u bë pocaqi fare, e mbase Fevziu si një lider mediatik në mexhelisin e 700 tenxhereve e gjen tek vetja këtë forcë duke dhënë një shembull pozitiv…
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



