Bota

Qeveria e Groenlandës: E papranueshme çdo përpjekje e Trumpit për të marrë ishullin

Nga Gazeta ‘Si’- Qeveria e Groenlandës ka deklaruar se “nuk mund ta pranojë në asnjë rrethanë” dëshirën e Donald Trump për të marrë kontrollin e ishullit, ndërsa sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha se aleanca po punon për forcimin e sigurisë në Arktik.

Në fillim të një jave vendimtare për ishullin e madh arktik, i cili gëzon vetëqeverisje të gjerë si pjesë e Mbretërisë së Danimarkës, Trump rikonfirmoi interesin e tij për territorin strategjik dhe të pasur me minerale, duke deklaruar se SHBA-ja do ta merrte Groenlandën “në një mënyrë apo në një tjetër”.

Këto deklarata kanë tronditur Bashkimin Evropian dhe NATO-n, pasi Trump nuk përjashtoi përdorimin e forcës ushtarake për të marrë Groenlandën, e cila përfiton nga mbrojtja e aleancës përmes anëtarësimit të Danimarkës.

Ministrja e Jashtme e Groenlandës, Vivian Motzfeldt, dhe homologu i saj danez, Lars Løkke Rasmussen, pritet të takohen të mërkurën në Uashington me sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio.

Danimarka ka theksuar se një traktat i vitit 1951 i lejon tashmë SHBA-së të zgjerojë ndjeshëm praninë e saj ushtarake në Groenlandë, por ka nënvizuar vazhdimisht se ishulli “nuk është në shitje” dhe se shpreson në një zgjidhje diplomatike.

Në një deklaratë të publikuar të hënën, qeveria e Groenlandës theksoi se ishulli është “pjesë e Mbretërisë së Danimarkës” dhe “si pjesë e bashkësisë daneze, anëtar i NATO-s”. Ajo shtoi se do të rrisë përpjekjet që mbrojtja e territorit të zhvillohet “brenda kuadrit të NATO-s”.

Deklarata nënvizoi gjithashtu se koalicioni qeverisës beson se Groenlanda “do të mbetet përgjithmonë pjesë e aleancës perëndimore të mbrojtjes” dhe se “të gjitha shtetet anëtare të NATO-s, përfshirë SHBA-në, kanë interes të përbashkët” për sigurinë e saj.

Trump ka argumentuar se kontrolli amerikan mbi Groenlandën është i nevojshëm për rritjen e sigurisë në Arktik, përballë asaj që ai e cilëson si kërcënim nga Kina dhe Rusia. Mark Rutte deklaroi të hënën se NATO po punon për “hapat e ardhshëm për të garantuar mbrojtjen kolektive të interesave strategjike” në rajon.

Gjatë një vizite në Kroaci, Rutte tha se të gjithë aleatët bien dakord për rëndësinë e Arktikut, duke paralajmëruar se hapja e rrugëve detare mund të rrisë aktivitetin rus dhe kinez në zonë.

Diplomatë të NATO-s kanë bërë të ditur se disa vende anëtare kanë propozuar nisma si një mision i ri në rajon, vendosje shtesë të pajisjeve ushtarake ose stërvitje të përbashkëta, por diskutimet janë ende në fazë të hershme dhe pa plane konkrete.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s nuk iu referua drejtpërdrejt komenteve të Trump për Groenlandën, por përshëndeti diskutimet mes aleatëve për forcimin e bashkëpunimit. Ai shtoi se Danimarka po përshpejton gjithashtu investimet në mbrojtje.

Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, minimizoi rrezikun që SHBA-ja të ndërmarrë veprime të njëanshme për të marrë Groenlandën. “Nuk kam asnjë tregues se kjo po shqyrtohet seriozisht”, tha ai pas një takimi me Marco Rubio.

Ndërkohë, një grup senatorësh amerikanë, përfshirë Lisa Murkowski nga Alaska, e cila ka deklaruar se marrja e Groenlandës “nuk duhet të jetë në agjendën e SHBA-së”, pritet të vizitojë Kopenhagenin për takime me politikanë danezë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë