Politike

Rama premton dëmshpërblime pas përmbytjeve: Gati plani për të prekurit

Gazeta Si – Kryeministri Rama u shpreh se situata aspak e mirë e motit, jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë rajonin, ka sjellë pasoja të paparashikueshme.

“Përmbytje nuk ka pasur vetëm në Shqipëri, por në mbarë Ballkanin. Në Stamboll, situata ka qenë apokaliptike. Një masë e ftohtë nga arktiku është përplasur me një masë të butë nga Mesdheu, duke bërë që situata atmosferike të jetë problematike”, – tha ai.

Gjatë një deklarate në podcastin “Flasim”, Rama ka folur ashpër për rolin e faktorëve njerëzorë në përkeqësimin e situatave të përmbytjeve, duke premtuar dëmshpërblime për familjet e prakura.

Ai kritikoi ashpër hedhjen e shisheve dhe qeseve plastike në rrugë e në natyrë, duke e quajtur këtë sjellje një përdhosje të Shqipërisë, të identitetit kombëtar dhe të emrit shqiptar.

“Jetojmë në një Shqipëri tjetër, sepse kjo vorbull do kishte shkaktuar më shumë përmbytje në kohë tjetër. Edhe faktori njerëzor ka peshën e vet, për mirë apo për keq. Hedhja në kanale e mbetjeve është një skenë, që nuk do i pëlqente askujt. Hedhja e shisheve si bajga e bën me bajga edhe flamurin kombëtar, që duhet të jetë i pastër, në rrugën drejt BE-së. Mos ta përdhosim emrin shqiptar dhe Shqipërinë. Ne do të dalim edhe me masa më të forta. Hedhja e mbetjeve në rrugë është kriminale. Ekipet tona të verifikimeve janë në terren”, tha Rama.

Ai u ndal veçanërisht te ndotja masive nga plastika, duke e cilësuar si “të frikshme, të neveritshme dhe kriminale” pamjen e lumenjve të mbushur me mbetje.

Duke iu referuar reshjeve intensive të ditëve të fundit, Rama theksoi se sasia e shiut që ra brenda katër ditësh ishte e barabartë me mesataren mujore të janarit, por sipas tij, përtej kushteve atmosferike dhe ndryshimeve klimatike, pesha e njeriut është vendimtare.

Sipas tij, falë edhe investimeve, qeveria shqiptare është e përgatitur dhe po i bën ballë përmbytjeve në mënyrë të suksesshme. Rama premton dëmshpërblim për këto që i është përmbytur toka bujqësore apo banesa.

“Puna jonë intensive nuk mbyllet me përmirësimin e situatës së motit, por do të vazhdojë me riparimin e dëmeve në infrastrukturë dhe të çdo dëmi në familjet e prekura nga uji. Ekipet tona të verifikimeve janë në terren që nga dita e parë, ndërkohë që Ministria e Financave e ka të përgatitur tanimë të gjithë planin me skenarët e dëmshpërblimit. Presim rezultatin përfundimtar të verifikimeve për të kaluar në fazën e dëmshpërblimeve”.

Kryeministri deklaroi se qeveria nuk do të dorëzohet dhe paralajmëroi masa të reja për sensibilizim, informim dhe ndëshkim ndaj ndotjes së mjedisit. Sipas tij, çdo veprim i tillë ndaj natyrës ka vetëm një përkufizim: “krim”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë