Politike

PD, protestë kombëtare me 24 janar. Berisha: Nuk marr pushtet me dhunë

Gazeta Si – Partia Demokratike ka vendosur të mbajë më datë 24 janar protestë kombëtare. Vendimi u mor gjatë mbledhjes së Kryesisë së partisë, ndërsa Sali Berisha u shpreh se mesazhi i opozitës është vetëm një.

“Opozita ka vetëm protesta të llojeve nga më të ndryshmet. Mesazhi ynë për narkoshtetin është ik një minutë e më parë. Zemërimi popullor është i jashtëzakonshëm, i papërmbajtur dhe ne jemi të vendosur të shkojmë gjer në fund, largimin e kësaj organizate kriminale”, tha kreu i PD.

Berisha u shpreh se nuk do të marrë pushtet me dhunë. “Sali Berisha nuk merr pushtet me dhunë, e ka deklaruar këtë me datën 12 dhjetor të vitit 1990. Konsenguent në këtë linjë ai e ka provuar. Edi Rama po shkon drejt grahmave të fundit. Edi Rama është i pashpresë dhe zemërimi popullor do të bjerë mbi të”, tha Berisha.

Ai u shpreh se do të kërkohet dorëheqja e qeverisë. “Shqipëria nuk do më t’i shohë me sy këta njerëz. Shqiptarët duan largimin e tyre”, tha Berisha.

Protesta kombëtare e 24 janarit pritet të zhvillohet dy ditë pas seancës publike (22 janar), që do të zhvillohet në Gjykatën Kushtetuese për ankimin e kryeministrit Edi Rama mbi masën e sigurisë ndaj zv/kryeministres, Belinda Balluku.

Më 22 dhjetor të vitit të kaluar, Partia Demokratike mbajti protestën e parë kombëtare. Në fjalën e tij, kryetari i Partisë Demokratike hodhi akuza ndaj kryeministrit si iniciatori i skemave korruptive.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë