Ushtrimet fizike, në shumë raste, mund të zvogëlojnë simptomat depresive po aq efektivisht sa trajtimet standarde, sipas një rishikimi të ri të provave.
Ushtrimet fizike kanë marrë vëmendje gjithnjë e më të madhe si një mënyrë për të ndihmuar me depresionin, qoftë në kombinim me terapi dhe ilaçe ose, në disa raste, më vete.
Një rishikim i ri nga “Cochrane”, një grup kërkimor jofitimprurës shqyrtoi 73 studime klinike duke përfshirë gati 5 mijë të rritur me depresion, për të vlerësuar se sa të forta janë provat që ushtrimet fizike mund të ndihmojnë në zbutjen e simptomave depresive.
Rishikimi gjeti pak ose aspak ndryshim midis ushtrimeve fizike dhe trajtimeve të vendosura si terapia psikologjike ose ilaçet, kur bëhet fjalë për zvogëlimin e simptomave të tilla si humbja e energjisë, trishtimi, problemet me gjumin dhe ndjenjat dëshpëruese.
“Gjetjet tona sugjerojnë që ushtrimet fizike duket të jenë një mundësi e sigurt dhe e arritshme për të ndihmuar në menaxhimin e simptomave të depresionit”, tha Andrew Clegg, autori kryesor i rishikimit dhe profesor.
Ai shtoi se rishikimi tregon rëndësinë e gjetjes së strategjive për të luftuar depresionin, të cilat njerëzit janë të gatshëm dhe të aftë t’i mbajnë.
Megjithatë, ekipi i Cochrane paralajmëroi se numri i përgjithshëm i provave klinike mbi këtë temë është ende i vogël dhe nuk ofron përfundime të besueshme në lidhje me efektet afatgjata.
Shumica e provave kishin më pak se 100 pjesëmarrës, duke e bërë të vështirë nxjerrjen e përfundimeve të forta.
Gjetjet vijnë në mes të barrës globale në rritje të depresionit, i cili është shkaku kryesor i shëndetit të keq dhe paaftësisë në të gjithë botën dhe prek më shumë se 280 milionë njerëz, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).
A janë disa ushtrime më të dobishme se të tjerat?
Ndërsa ushtrimet mund të ndihmojnë në uljen e simptomave të depresionit në mënyrë të ngjashme me terapinë, rishikimi nuk gjeti asnjë lloj të vetëm stërvitjeje që është qartësisht më i mirë se të tjerët.
Njerëzit që angazhoheshin në stërvitje me intensitet të lehtë deri në të moderuar raportuan përfitime më të mëdha sesa ata që bënin stërvitje të fuqishme.
Përfundimi i 13 deri në 36 seancave të ushtrimeve në total u shoqërua gjithashtu me një përmirësim më të madh të simptomave depresive. Programet e përziera aerobike dhe të rezistencës dukeshin më efektive sesa vetëm stërvitja aerobike.
Përshkrimi i ushtrimeve për depresionin është një praktikë e zakonshme dhe e përhapur në shumë sisteme të kujdesit shëndetësor.
Disa organe ndërkombëtare udhëzuese rekomandojnë aktivitetin fizik si një opsion trajtimi, veçanërisht për njerëzit me depresion të lehtë deri në të moderuar.
Shoqata Europiane e Psikiatrisë rekomandon aktivitetin fizik për të përmirësuar simptomat dhe gjendjen fizike, duke i dhënë përparësi intensitetit të moderuar deri në të fuqishëm.
Në mënyrë të ngjashme, Instituti Kombëtar i Mbretërisë së Bashkuar për Ekselencë në Shëndetësi dhe Kujdes (NICE) këshillon programe ushtrimesh në grup, duke rekomanduar një seancë në javë të udhëhequr nga një praktikues i trajnuar për të paktën 10 javë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



