Bota

Trump urdhëron tërheqjen e SHBA-së nga 66 organizata ndërkombëtare

Nga Gazeta ‘Si’-Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald J. Trump, ka firmosur një memorandum presidencial me të cilin urdhëron tërheqjen e SHBA-ve nga dhjetëra organizata ndërkombëtare, konventa dhe mekanizma të Kombeve të Bashkuara, duke argumentuar se ato janë në kundërshtim me interesat kombëtare amerikane.

Sipas memorandumit, Sekretari i Shtetit ka përfunduar raportin përkatës dhe presidenti, pas konsultimeve me kabinetin, ka vendosur ndërprerjen e anëtarësimit dhe financimit për një listë të gjerë institucionesh.

Tërheqje e menjëhershme dhe ndërprerje financimi

Memorandumi urdhëron të gjitha departamentet dhe agjencitë federale që të ndërmarrin menjëherë hapat e nevojshëm për të realizuar tërheqjen e SHBA-ve nga organizatat e përmendura.

Për entitetet e Kombeve të Bashkuara, kjo nënkupton ndërprerjen e pjesëmarrjes dhe të financimit, në masën që lejohet nga legjislacioni amerikan.

Presidenti thekson se rishikimi i angazhimeve të tjera ndërkombëtare mbetet ende në proces, duke lënë të hapur mundësinë për vendime të mëtejshme në të ardhmen.

Fokus i fortë kundër strukturave të OKB-së

Një pjesë e konsiderueshme e listës përfshin struktura kyçe të OKB-së, përfshirë:

  • Konventën Kuadër të OKB-së për Ndryshimet Klimatike (UNFCCC),
  • UN Women,
  • UN Population Fund,
  • UN Conference on Trade and Development,
  • Peacebuilding Commission dhe Peacebuilding Fund,

si dhe disa zyra të posaçme për të drejtat e fëmijëve, dhunën seksuale dhe çështjet gjinore.

Po ashtu, SHBA-të tërhiqen nga Paneli Ndërqeveritar i Ndryshimeve Klimatike (IPCC) dhe agjenci të tjera që lidhen me politikat klimatike, energjinë e rinovueshme dhe biodiversitetin, duke reflektuar qëndrimin skeptik të administratës Trump ndaj agjendave globale të klimës.

Gjithashtu një tërheqje që mund të shihet me rëndësi për rajonin, është edhe ajo nga Mekanizmi Ndërkombëtar për Gjyqet e Krimeve, ku bën pjesë edhe Gjykata Kriminale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë.

Edhe organizata evropiane dhe mekanizma demokratikë në listë

Në listën e organizatave jo të OKB-së përfshihen edhe institucione evropiane dhe ndërkombëtare si:

  • Komisioni i Venecias i Këshillit të Evropës,
  • International Institute for Democracy and Electoral Assistance (IDEA),
  • Freedom Online Coalition,
  • International Renewable Energy Agency (IRENA),

si dhe forume të ndryshme për migracionin, qeverisjen globale dhe sigurinë kibernetike.

Këto vendime pritet të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në arkitekturën multilaterale globale, duke reduktuar rolin amerikan në një sërë procesesh ndërkombëtare që lidhen me demokracinë, zhvillimin, klimën dhe të drejtat e njeriut.

Qasje “America First” në politikën e jashtme

Në thelb, memorandumi përforcon doktrinën “America First”, ku administrata Trump synon të kufizojë angazhimet ndërkombëtare që, sipas saj, nuk prodhojnë përfitime të drejtpërdrejta për interesat amerikane ose cenojnë sovranitetin kombëtar.

Dokumenti thekson se vendimi nuk krijon asnjë të drejtë ligjore për palë të treta dhe do të zbatohet në varësi të fondeve të disponueshme, ndërsa Sekretari i Shtetit është urdhëruar ta publikojë zyrtarisht në Regjistrin Federal.

Ky hap pritet të shkaktojë debat të gjerë, veçanërisht nga Kombet e Bashkuara dhe aleatët tradicionalë të SHBA-ve, duke rihapur debatin mbi rolin e Washingtonit në rendin global dhe të ardhmen e multilateralizmit, parë edhe situatën e fundit politike të krijuar dhe angazhimin amerikan në disa fronte, nga lufta në Ukrainë, apo edhe angazhimi në Venezuelë me rrëmbimin e presidentit të vendit, Nicolas Maduro.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë