Bota

Protesta në SHBA pas vrasjes së 37-vjeçares nga ICE, Trump: Oficeri u vetëmbrojt (video)

Gazeta Si – Ka ndodhur përsëri në Mineapolis, vetëm disa blloqe larg vendit ku George Floyd u mbyt brutalisht nga një oficer policie pesë vjet më parë.

Këtë herë, viktima nuk është afrikano-amerikane, por një grua e bardhë 37-vjeçare, e vrarë gjatë një operacioni të Zyrës së Emigracionit dhe Doganave (ICE), të vendosur me urdhër të presidentit Donald Trump në disa qytete amerikane për të luftuar emigracionin e paligjshëm.

Sipas mediave amerikane, viktima është Renee Nicole Good, një shtetase amerikane dhe nënë, me origjinë nga Kolorado.

Kush ishte viktima

Renee Nicole Good e përshkroi veten në mediat sociale si një “poete, shkrimtare, grua dhe nënë” nga Kolorado.

Sipas “Star Tribune”, Good ishte e martuar me Timmy Ray Macklin Jr., i cili vdiq në vitin 2023 në moshën 36 vjeç, me të cilin pati një djalë.

“Renee ishte një nga njerëzit më të sjellshëm që kam njohur ndonjëherë”, – tha nëna e saj. “Ajo ndoshta ishte e tmerruar. Vajza ime absolutisht nuk është pjesë e diçkaje të tillë”, – shtoi ajo, duke iu referuar protestuesve që sfidonin agjentët e ICE.

“Ajo ishte jashtëzakonisht e dhembshur. Ajo kujdesej për njerëzit gjatë gjithë jetës së saj. Ishte e dashur dhe mirëkuptuese, një person i jashtëzakonshëm”.

Të dhënat tregojnë se viktima kishte jetuar së fundmi në Kansas City, Missouri, ku ajo dhe një grua tjetër kishin filluar një biznes të quajtur B. Good Handywork.

Në një video të postuar në mediat sociale nga vendi i ngjarjes, një grua, e cila e përshkruan Renee Nicole Good si gruan e saj, shihet e ulur pranë automjetit duke qarë me dënesë. Ajo thotë se ata kishin mbërritur së fundmi në Minesota me një fëmijë 6-vjeçar.

Përfaqësuesja Ilhan Omar, një demokrate dhe somalezo-amerikanja e parë e zgjedhur në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-ve – të cilën Trump e quajti “po aq plehra sa miqtë e saj” – e përshkroi viktimën si një “vëzhguese ligjore” të operacionit ICE që mobilizoi mbi 2,000 agjentë federalë në qytet.

Protestat

Një turmë protestuesish të zemëruar u mblodh shpejt në zonën e të shtënave: qirinj, lule dhe bilbila mbushën fushën me dëborë, ku makina e Good ishte përplasur pasi u qëllua.

Vdekja e Good është bërë tashmë një thirrje për ata që punojnë për të penguar fushatën masive të deportimit të Donald Trump.

Disa orë më vonë, mijëra njerëz dolën gjithashtu në rrugët e Çikagos, Nju Jorkut, Detroitit, San Franciskos dhe qyteteve të tjera në të gjithë vendin.

Në Detroit, dhjetëra qytetarë u mblodhën para ndërtesës së ICE në Michigan Avenue në qendër të qytetit për të protestuar kundër agjentëve.

Organizatorja Kassandra Rodriguez denoncoi “një abuzim me pushtetin”. “Unë besoj se kjo është diçka që nuk duhet të ndodhë kurrë dhe është plotësisht e papranueshme”, tha ajo.

“Dhe unë besoj se është detyrë e qeverive tona lokale të mbajnë një qëndrim të ashpër kundër një situate si kjo dhe të mos lejojnë ICE të bëjë çfarë të dojë në lagjet tona

Minneapolis është objektivi i fundit i fushatës së administratës Trump për të dërguar agjentë të ICE dhe Gardën Kombëtare në qytete dhe shtete të udhëhequra nga demokratët për të arrestuar emigrantë pa dokumente.

Të paktën pesë persona kanë vdekur deri më tani, përfshirë Silverio Villegas-Gonzalez, i cili u vra në shtator në zonën e Çikagos.

Hetimet

Ekzistojnë dy versione të kundërta të incidentit. Zëdhënësja e Departamentit të Sigurisë Kombëtare, Tricia McLaughlin, tha se të shtënat ndodhën pasi “protestuesit” penguan oficerët dhe një grua u përpoq të “shmangte” forcat e rendit.

Sekretarja e fuqishme e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, e mbështeti këtë pikëpamje, duke e quajtur atë një akt “terrorizmi vendas”.

Presidenti Trump gjithashtu e mbështeti këtë rindërtim: “E kam parë videon, është e tmerrshme për t’u parë”, tha ai.

“Gruaja që drejtonte makinën ishte shumë e padisiplinuar, pengonte dhe rezistonte dhe pastaj me dhunë, qëllimisht dhe brutalisht shtypi agjentin e ICE-së, i cili duket se e ka qëlluar atë në vetëmbrojtje”.

Presidenti më pas akuzoi “të majtën radikale” për kërcënime dhe shënjestrim të “agjentëve tanë të zbatimit të ligjit dhe ICE-së çdo ditë. Ata thjesht po përpiqen të bëjnë punën e tyre: ta bëjnë Amerikën të sigurt”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë