Ngjarje

Situatë kritike, autoritetet urdhërojnë evakuime në Novoselë, Ferras dhe dy fshatra të Durrësit

Nga Gazeta ‘Si’- Moti i keq ka përfshirë Shqipërinë edhe këtë të enjte, ku gjatë natës kanë vijuar reshjet e dendura të shiut.

Ministria e Mbrojtjes njofton se situata më problematike paraqitet në qarqet Shkodër, Lezhë, Durrës, Fier, Berat dhe Gjirokastër, ndërsa në qarqe të tjera situata është nën monitorim ose pa rrezik.

Lumi Vjosë ka shkuar në nivelin 9 metra në urën e Mifolit, Novoselë. Situata është rënduar duke shkaktuar rrezik për banorët që jetojnë aty pranë dhe tokat bujqësore. Prurje të shumta ka pasur edhe në Memaliaj, ku niveli ka shkuar 7.5 metra.

Dalja nga shtrati i Lumit Vjosë ka bërë që Emergjencat Civile të urdhërojnë një evakuim të menjëhershëm të banorëve të Novoselës.

Rritja e nivelit të ujit është kthyer në një kërcënim për qytetarët.

Prioritet në procesin e evakuimit kanë fëmijët, të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara dhe familjet në zona të izoluara.

Personat e evakuuar do të vendosen në ambiente të strehimit të përkohshëm.

Gjithashtu, si pasojë e situatës së krijuar nga përmbytjet dhe rrezikut të menjëhershëm për jetën dhe shëndetin e qytetarëve, do të kryhet evakuimi i menjëhershëm edhe i banorëve të fshatit Ferras në Fier.

Evakuime janë urdhëruar edhe në fshatrat Sukth dhe Katund i Ri në Durrës.

Lumi Buna në Shkodër ka pësuar rritje të nivelit të ujit, ndërsa në Drin niveli i ujit ka rënë si pasojë e uljes së shkarkimeve. Zona e Obotit sërish nuk kalohet me mjete të vogla. Pritet përmirësim i situatës, pasi në zonat malore kanë nisur reshjet e borës.

Reshjet e dendura të shiut kanë krijuar një situatë mjaft të vështirë edhe në të gjithë qarkun e Lezhës gjatë orëve të fundit, ku sipas të dhënave nga stacioni meteorologjik i Gjadrit, vetëm në 24 orët e fundit kanë rënë rreth 29 mm shi.

Rreth 3000 ha tokë bujqësore janë nën ujë ndërkohë është bërë evakuimi I dy familjeve, një në fshatin ishullin Shëngjin dhe një në fshatin Kakariq.

Rreth 100 banesa janë të rrethuara nga uji, kryesisht në njësitë administrative Dajç, Babullojë, Balldren dhe Shënkoll ndërsa ka rrëshqitje dherash në fshatrat Torovicë dhe Tresh.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë