Bota

SHBA, agjentët vrasin një grua në Mineapolis gjatë një bastisjeje anti-emigracion (video)

Gazeta Si – Një agjent i Zyrës së Emigracionit dhe Doganave (ICE) në Minneapolis, qëlloi dhe vrau një grua 37-vjeçare, e cila dyshohet se u përpoq të shtypte agjentët federalë me automjetin e saj gjatë një operacioni anti-emigracion në lagjen “Powerhorn”, një lagje banimi e qytetit. Viktima ishte gruaja e një udhëheqësi në mbrojtje të emigrantëve.

Me mbi dy mijë agjentë të ICE-së të dislokuar, Minneapolis është objektivi i fundit i fushatës së administratës Trump kundër imigracionit të paligjshëm.

“Agjentët e ICE po shkaktojnë kaos”, tha kryebashkiaku Jacob Frey, i cili, në profilet e tij në mediat sociale, u bëri thirrje forcave federale të largohen menjëherë nga qyteti.

Sekretarja e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem mbrojti agjentët e ICE të përfshirë në vrasje. “Ishte një akt terrorizmi i brendshëm”.

Donald Trump. deklaroi: “Pashë videon e asaj që ndodhi në Minneapolis. Është e tmerrshme ta shikosh; agjenti qëlloi në vetëmbrojtje”.

Versioni zyrtar, megjithatë, kundërshtohet nga dëshmitarët okularë që kanë filmuar një video rrëqethëse: një agjent federal i maskuar shihet duke qëlluar tre herë nga afër përmes dritares së makinës së viktimë, pasi një oficer tjetër e urdhëroi gruan të dilte nga “makina e saj e mallkuar”.

Të shtënat shënojnë një përshkallëzim dramatik të fundit në një seri operacionesh të zbatimit të ligjit për emigracionin të kryera në qytetet kryesore amerikane.

Minneapolis dhe qyteti i saj simotër, St.Paul, kanë qenë në gatishmëri të lartë që kur Departamenti i Sigurisë Kombëtare njoftoi nisjen e operacionit, i lidhur pjesërisht me akuzat për mashtrim që përfshijnë banorë me origjinë somaleze, gjë që e shtyu Guvernatorin Tim Walz (ish-kandidat për zëvendëspresident me Kamala Harris), të mos kandidojë për rizgjedhje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë