Nga Gazeta Si – Ish-zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, Joaquin Almunia, ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara nuk janë më një aleat i Evropës, por janë shndërruar në një kundërshtar të hapur, duke fajësuar drejtpërdrejt presidentin amerikan Donald Trump për këtë ndryshim strategjik.
Në një intervistë për radion spanjolle “Cadena Ser”, Almunia tha se SHBA-ja ka kaluar nga një qëndrim pro-evropian në një politikë armiqësore ndaj Bashkimit Evropian.
“Kjo duhet të shqetësojë jo vetëm evropianët, por edhe vetë amerikanët,” theksoi ai.
Sipas Almunias, kërcënimi nuk vjen nga populli amerikan, por nga administrata e Trump-it, e cila – sipas tij – e konsideron BE-në si kundërshtarin kryesor strategjik, ndërsa presidentin rus, Vladimir Putin si një aleat.
Ai shprehu shqetësim të veçantë për dokumentin e fundit të Strategjisë së Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, i cili mbështet partitë populiste të ekstremit të djathtë në Evropë, të cilat Trump i quan “parti patriotike”.
Almunia përgëzoi kryeministrin portugez, Antonio Costa për reagimin e tij kritik ndaj këtij dokumenti, i cili pretendon se Evropa po përballet me “zhdukje civilizimi” për shkak të migracionit dhe rregulloreve të shumta.
“Aleatët nuk kërcënojnë të ndërhyjnë në zgjedhjet demokratike të njëri-tjetrit,” deklaroi Costa.
Në të njëjtën kohë, Almunia shprehu shqetësim të thellë për heshtjen e liderëve të tjerë evropianë, përfshirë presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, përballë këtij ndryshimi të politikës amerikane.
Ai kritikoi reagimin e Bashkimit Evropian ndaj genocidit në Gaza, duke e cilësuar atë si të paqartë dhe të p vendosur.
“Kur shohim shkelje të rënda të të drejtave themelore të njeriut, duhet të reagojmë me vendosmëri. Si evropianë, nuk mund të mbyllim sytë apo të gjejmë justifikime,” përfundoi Almunia.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



