Bota

Betohet kryetari i ri i Bashkisë së Nju Jorkut

Nga Gazeta Si – Zohran Mamdani është betuar si kryetari i ri i Bashkisë së Nju Jorkut, duke hyrë në histori si kryebashkiaku i parë mysliman i qytetit.

Ceremonia publike e inaugurimit do të transmetohet drejtpërdrejt dhe do të shikohet edhe në zona të organizuara përgjatë Broadway-t.

Kryebashkiaku i ri i Nju Jorkut u inaugurua zyrtarisht në një stacion metroje jashtë përdorimit, një ngjarje simbolike që e veçon këtë fillim mandati.

Socialisti demokrat u betua zyrtarisht në mesnatë në stacionin e vjetër të metrosë “Old City Hall”, i cili është i aksesueshëm vetëm disa herë në vit përmes tureve të organizuara.

Ai është gjithashtu personi i parë me origjinë nga Azia Jugore dhe i pari i lindur në Afrikë që bëhet kryetar i bashkisë së Nju Jorkut, pasi ka lindur në Ugandë.

Pas betimit tradicional dhe të thjeshtë, Mamdani do të mbajë një ceremoni festive gjatë pasdites.

Sipas ekipit të tij, zgjedhja e stacionit të metrosë simbolizon “angazhimin e tij ndaj punëtorëve që e mbajnë qytetin në funksion çdo ditë.”

Ai u betua përpara Prokurores së përgjithshme të Nju Jorkut, Letitia James.

Prokurorja e Nju Jorkut, Leticia James (majtas), Zohran Mamdani (në qendër) dhe bashkëshortja e tij Rama Duwaji (djathtas)

Të pranishëm ishin bashkëshortja e tij, Rama Duwaji, anëtarë të familjes së ngushtë, përfshirë nënën, regjisoren e njohur Mira Nair, si dhe babain e tij, profesorin e Universitetit “Columbia”, Mahmood Mamdani.

34 vjeçari Mamdani, ish-anëtar i asamblesë shtetërore, fitoi zgjedhjet me një platformë të fortë kundër kostos së lartë të jetesës, duke premtuar ngrirje të qerave dhe transport publik falas me autobusë.

Ai nxiti një pjesëmarrje rekord prej më shumë se 2 milionë votuesish, duke marrë 50% të votave, gati 10 pikë përpara ish-guvernatorit demokrat të Nju Jorkut, Andrew Cuomo, i cili kandidoi si i pavarur, dhe shumë përpara republikanit, Curtis Sliwa.

Si qyteti më i populluar i SHBA-së, Nju Jorku ka rreth 8 milionë banorë.

Planet për inaugurimin publik gjatë ditës së Vitit të Ri përfshijnë një ceremoni në shkallët e “City Hall”, si dhe festën e parë ndonjëherë të inaugurimit të një kryetari bashkie, me muzikë dhe fjalime përpara rreth 4000 të ftuarve në “City Hall Plaza”.

Publiku do të ketë mundësinë të ndjekë transmetimin direkt të asaj që ekipi i Mamdanit e quan “Inaugurimi i një Epoke të Re”, në zona falas të vendosura përgjatë Broadway-t.

Komiteti i inaugurimit përfshin emra të njohur si shkrimtari Colson Whitehead, “youtube-rja” për fëmijë Ms Rachel, muzikanti Sonny Rollins, si dhe aktorët Luis Guzmán dhe Cynthia Nixon, kjo e fundit ish-kandidate për guvernatore të shtetit të Nju Jorkut.

Mamdani do të zhvendoset nga apartamenti i tij me një dhomë gjumi në Astoria në “Gracie Mansion”, rezidenca zyrtare e kryetarëve të bashkisë së Nju Jorkut në lagjen luksoze “Upper East Side”.

Ai nuk është kryebashkiaku i parë i qytetit i lidhur me socializmin demokratik, megjithëse David Dinkins nuk e theksoi shumë lidhjen e tij me Socialistët Demokratë të Amerikës (DSA) gjatë mandatit të tij nga 1990 deri më 1993.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë