Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama komentoi sot rastin lidhur me imunitetin e zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Ai theksoi se as ai, as dikush tjetër nuk ka marrë pjesë në përmbajtjen e rastit, duke nënvizuar se ky rast ndryshon nga të tjerët, pasi ka arritur në dorë të pushtetit legjislativ.
Rama theksoi se Këshilli i Mandatave nuk është zyrë noterie, por një strukturë që funksionon si një quasi-Gjykatë.
Sipas Ramës, dokumentacioni voluminoz prej 16 mijë faqesh, që përmban kontrata, studime dhe arkiva të ministrisë, nuk përbën produkt të hetimit, por është thjesht një përmbledhje materiale e dorëzuar Këshillit.
Ai sugjeroi se, në vend të përqendrimit në këtë dosje të madhe, çështja do të ishte më e përshtatshme të trajtohej me dokumentacion më të fokusuar për deputetët e Kuvendit.
“Janë futur kontrata, studime dhe arkivi i ministrisë brenda. Kjo nuk është produkt hetimi, sepse nuk mund të jetë”, tha Rama, duke e cilësuar rastin si të veçantë dhe që kërkon vlerësim të kujdesshëm.
Ai shtoi se “rasti është futur në parlament pas kalimit në territorin e pushtetit ekzekutiv, në mënyrë brutale”.
“Kërkesa për pezullim është skandaloze dhe një rast i pazakontë, që nuk ka ndodhur as në Evropë apo në ndonjë vend tjetër të botës. Ne kemi mbajtur qëndrim institucional dhe do të vazhdojmë ta mbajmë këtë qëndrim në parlament”, tha Rama.
Sipas tij, SPAK duhet të japë prova dhe argumente konkrete pse personi i dyshuar prish provat apo intimidon dëshmitarët dhe shtoi se “mesazhet e dala në media nuk mund të jenë prova”.
“Që kur mesazhet janë prova?! Dhe që kur mesazhet janë ushqim për mediat dhe që kur mbi bazë mesazhesh bëhen gjyqe si në kohën e gjuetisë së shtrigave. Mesazhet dhe cdo gjë tjetër që lidhet kush tha, çfarë tha, janë pjesë e procesit, nuk e përjashtoj unë këtë. Por parapërfytyroni çfarë ndodh dhe sa përgjegjësi ka secili nga pjesëmarrësit në këto gjyqet e shtrigave kur dikush të dalë i pafajshëm. Për çfarë i duhet pafajësia, kush ia kthen mbrapsht jetën. Prandaj drejtësia demokratike ka vendosur kufij. Prandaj në drejtësinë demokratike nuk lejohen shumë gjera nga ato që ndodhin këtu”, tha Rama.
Ai u ndal edhe te çështja e paraburgimit në Shqipëri, e cila sipas tij është kthyer në alarm edhe për Këshillin e Europës. Ai theksoi po ashtu se e 1/3-a e të burgosurve janë të pa dënuar.
“Jemi vendi më skandaloz i Këshillit të Europës për nivelin e dënimeve, jemi vetëm me Rusinë mbrapa, por Rusia u përjashtua nga Këshilli. Kemi 1985 të dënuar dhe 4442 të burgosur. Në Shqipëri falë edhe jush, nuk ka të pafajshëm, por ka të dënuar, qysh në momentin që dyshohen. E ka kaluar njëherë këtë traumë ky vend. Kjo shifër tregon që në Shqipëri probabiliteti që ti të shkosh në burg si i dyshuar është më i lartë se sa të jesh fajtor. Ky është fakti më rrëqethës, Këshilli ka bërë një dokument të të tërë për paraburgimin për çdo njeri që beson te dinjiteti i tjetrit, ai dokument është alarm, sepse në fund të ditës sensi i drejtësisë është më mirë “100 fajtorë jashtë se sa një i pafajshëm brenda”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




