Bota

Pushimet në rrezik, prag grevash në aeroportet europiane

Në Mbretërinë e Bashkuar, Spanjë dhe Itali, festat e Krishtlindjeve janë të ndërthurura me protesta nga stafi i aeroporteve: anulime të mundshme dhe pritje të gjata

Gazeta Si – Nisja ose kthimi gjatë festave të Krishtlindjeve, mund të shndërrohet në një rrugë me pengesa. Pikërisht gjatë ditëve me trafik të lartë, një seri grevash në aeroportet europiane kërcënon të vërë në provë durimin e pasagjerëve, me vonesa, anulime dhe shërbime të reduktuara.

Ata që ankohen, janë veçanërisht ata në tokë dhe ekuipazhi i kabinave, të vendosur të bëjnë që zëri i tyre të dëgjohet gjatë kohës më të ndjeshme të vitit në industri.

Heathrow mbetet qendra më kritike – Në Mbretërinë e Bashkuar, një valë e parë ndërprerjesh që pritej në Aeroportin Luton të Londrës midis 26 dhe 29 dhjetorit, u shmang në minutën e fundit falë një propozimi të ri për rritjen e pagave të paraqitur punonjësve. Situata në Heathrow, megjithatë, është e ndryshme, ku atmosfera mbetet e tensionuar.

Më 24 dhe 26 dhjetor, ekuipazhi i kabinës në “Scandinavian Airlines Services”, është thirrur në grevë. Fluturimet drejt qendrave kryesore skandinave të linjës ajrore, si Kopenhageni, Stokholmi dhe Oslo, janë veçanërisht në rrezik, me pasoja të mundshme për të gjithë rrjetin e fluturimeve lidhëse.

Sipas sindikatës “Unite”, protesta bazohet në pagat që konsiderohen të pamjaftueshme, veçanërisht kur krahasohen me koston e jetesës në qytetet skandinave.

Kjo situatë, pretendojnë përfaqësuesit e sindikatës, i ka detyruar disa punëtorë të drejtohen edhe në bankat e ushqimit gjatë udhëtimeve të biznesit.

Kompania ajrore i mohon këto akuza, por ata theksojnë se sa i nxehtë mbetet konflikti, veçanërisht gjatë periudhës së Krishtlindjeve.

Spanjë, greva në aeroportet kryesore – Situata është gjithashtu veçanërisht delikate në Spanjë.

Për muaj të tërë, stafi në “Azul Handling”, kompania që ofron shërbime të trajtimit tokësor për “Ryanair”, ka zhvilluar protesta pothuajse të vazhdueshme duke kërkuar kushte më të mira pune, bonuse të përshtatshme dhe stabilitet më të madh kontraktual.

Grevat javore janë planifikuar deri më 31 dhjetor çdo të mërkurë, të premte, të shtunë dhe të diel, në tre intervale kohore kryesore: nga ora 5 e mëngjesit, deri në 9 të mëngjesit, nga ora 12 e drekës, deri në 3 të pasdites dhe nga ora 9 e mbrëmjes, deri në mesnatë.

Aeroportet më të prekura – Ndërprerjet mund të ndikojnë në shumë aeroporte spanjolle, duke përfshirë Alicante, Barcelona-El Prat, Girona, Ibiza, Madrid-Barajas, Malaga, Palma de Mallorca, Seville, Tenerife dhe Valencia.

Pasagjerët e “Ryanair”, në veçanti, do të duhet të presin radhë më të gjata për regjistrim, vonesa në bagazhe dhe vonesa të mundshme në oraret e nisjes.

Greva në Itali edhe në janar – Në Itali, ndikimi më i madh pritet pas festave. Më 9 janar, sindikata “Cub Trasporti”, thirri një grevë katër-orëshe kombëtare për stafin tokësor, nga ora 13:00 deri në 17:00, e cila mund të shkaktojë vonesa dhe anulime në disa aeroporte.

Po atë ditë, stafi i trajtimit të “Swissport Italia” në Aeroportin e Milanos, Linate njoftoi një grevë 24-orëshe, me pasoja të mundshme në operacionet e aeroportit.

Ndërprerje të mëtejshme mund të ndodhin më 31 janar në Aeroportin e Veronës, ku stafi i kontrollit të trafikut ajror të ENAV, ka thirrur një grevë. Përsëri, fluturimet në nisje dhe në mbërritje mund të jenë subjekt i ndryshimeve ose anulimeve.

Çfarë duhet të bëni para se të niseni – Në një skenar kaq të fragmentuar, këshilla për ata që udhëtojnë gjatë pushimeve, është vetëm një: kontrolloni statusin e fluturimit tuaj, monitoroni komunikimet e linjës ajrore dhe mbërrini në aeroport shumë kohë më parë.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë