Nga Gazeta Si- Është konfirmuar rasti i parë i fruthit në Shqipëri tek një fëmijë 3 vjeç.
Sipas burimeve pranë ISHP-së, 3-vjeçari është i pavaksinuar dhe është diagnostikur me fruth para 4 ditësh ndërkohë që po merr trajtim në pediatrinë infektive.
Rasti i tij është ndjekur nga Instituti i Shëndetit Publik ndërsa dhe është hetuar epidemiologjikisht ku deri më tani rezulton një rast i izoluar.
Vaksina ndaj FRP është një vaksinë që përmban viruse të fruthit, rubeolës dhe parotitit (ose shytave) dhe një dozë e vetme e vaksinës ndaj FRP është afërsisht 95% efektive kundër fruthit,
Doza e parë e vaksinës duhet të merret në moshën 12 muajshe ndërsa doza e dytë e vaksinës në moshën 5 vjeçare.
Por, sipas Institutit të Shëndetit Publik vaksinimi ndaj fruthit ka pësuar një rënie të ndjeshme që pas pandemisë së koronavirusit. Mësohet se vetëm në Tiranë, vitet e fundit, llogariten rreth 13 mijë fëmijë të moshës 0-5 vjeç të pavaksinuar.
Në një raport zyrtar të publikuar nga ISHP, që kryhet çdo 10 vjet, raportohet se mbulimi me vaksinën kundër fruthit për moshat 12-13 muaj ishte 75% në raport me 94 % që ishte regjistruar në periudhën vjetore 2004-2008.
Mjeku epidemiolog Ilir Alimehmeti ka thënë më herët se nga ana e institucioneve zyrtare duhet të punohet më shumë me ndërgjegjësimin e prindërve për të vaksinuar fëmijët.
“Ka një stepje 10 vitet e fundit nga prindërit për kryerjen e vaksinës së fruthit. Kjo lidhet me një lloj frike për shfaqjen e sëmundjes së autizmit si pasojë e kryerjes së kësaj vaksine. Por nga studimet e kryera, është vërtetuar se ndotja urbane lidhet me shfaqjen e autizmit, referuar shifrave të lindjeve në qytet e fshat, ku fshati nuk raporton shifra të autizmit”, tha Alimehmeti për Gazetasi.al.
Sipas tij, rreziku që vendi ynë të preket nga epidemia e fruthit ishte i lartë referuar dhe statusit të Shqipërisë ku në vitin 2019 u konsiderua si vend i rrezikuar prej fruthit.
“Deri në vitin 2017 ne ishim vend pa fruth, sipas OBSH, por me shfaqjen e 1466 rasteve në vitin 2018, OBSH mori vendim për heqjen e statusit në gusht 2019 dhe prej asaj kohe vijojmë të jemi vend me rrezikshmëri të lartë për shfaqjen dhe përhapjen e fruthit”, thotë doktor Alimehmeti.
Fruthi është një sëmundje infektive që prek sistemin e frymëmarrjes, e cila mund të shkaktojë komplikacione si: polmoniti dhe encefaliti.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




