Nga Gazeta ‘Si’- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, përsëriti nga Manza, aty ku zhvilloi foltoren e radhës, se kryeministrin Edi Rama sipas tij vodhi zgjedhjet.
“Erdhëm në zgjedhje, zhvilluam fushatën elektorale më të bukur, programin më të shkëlqyer që ka njohur ky vend, ekspertizën, më të madhe. Unë, kisha deklaruar në mënyrat më të përsëritura se, me Edi Ramën nuk ka zgjedhje. Sepse kur një kryeministër vendos të mos dorëzojë pushtetin, ai pastaj ka të gjitha mjetet në dorë për të shtypur votën, për të manipuluar votën, për të blerë votën”, tha Berisha.
Ai u shpreh se sipas tij tentuan që opozitën ta sulmonin në të gjitha mënyrat, por dështuan.
“U ngritët së bashku, si viganë, në një akt të pashembullt në histori, rezistuam padrejtësitë më të mëdha”, tha Berisha.
Sipas tij, Partia Demokratike me datën 11 maj nuk do humbiste kurrë zgjedhjet në qoftë se Edi Rama s’do të do falte 2 miliardë euro gjoba dhe kamata dy ditë para zgjedhjeve.
“Partia Demokratike do fitonte zgjedhjet, në qoftë se Edi Rama nuk do shpërndante 100 euro për 760.000 votues. Në qoftë se Edi Rama s’do mobilizonte rrogëtarët e shtetit që janë shërbëtorët tuaj, nuk do mobilizonte për të grabitur votat tuaja, për të kërcënuar ju.
Partia Demokratike do fitonte zgjedhjet, në qoftë se bandat ndër më të rrezikshmet në Europë, ndër më të fuqishmet në Europë, kartelët e drogës, Troplinët, Suel Çela, Bajrët dhe me radhë nuk do nxirrnin hanxharët e krimit kundër zgjedhësve dhe të diktonin atyre votën.
Nuk do të përdornin paratë e krimit për të blerë votë. Por miq, 21-shi s’mund të përsëritej më. Jo. Ai bëri këto dhe ne qëndruam me vendosmëri absolute. Ai bëri gjithçka të ndryshonte raportin e vëzhguesve ndërkombëtarë, raport i cili në një farë mënyre është gjykimi, është ligji ndërkombëtar për zgjedhjet e atij vendi ku zhvillohet. Dështoi, i kërcënoi ata, përdori të gjitha format, telefonata me kryeministra, me ministra e të tjera e të tjera me radhë, por ne gjithashtu bëmë gjithçka dhe ne s’kishim asgjë tjetër në dorë përveç fakteve të vërtetave që sillnit ju për zgjedhjet”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




