Nga Gazeta ‘Si’- Pesë anëtarët demokratë të Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve janë paraqitur paraditen e 26 dhjetorit në ambientet e Kuvendit të Shqipërisë, pas kërkesës së depozituar dy ditë më parë për zhvillimin e mbledhjes lidhur me heqjen e imunitetit të zëvendës kryeministres Belinda Balluku.
Megjithatë, mbledhja nuk u zhvillua, pasi asnjë nga pesë anëtarët socialistë të Këshillit nuk ishte i pranishëm, ndërsa dera e sallës ku ishte parashikuar takimi rezultoi e mbyllur me çelës, duke pamundësuar hyrjen e deputetëve të opozitës.
Deputetët e Partisë Demokratike kërkuan gjithashtu praninë e mediave brenda Kuvendit, por gazetarët u ndaluan nga Garda e Republikës, me arsyetimin se e premtja ishte ditë pushimi zyrtar.
Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, reagoi ashpër duke e cilësuar situatën si një akt të qëllimshëm për të penguar hetimin penal ndaj Ballukut.
“Janë bërë sot 10 ditë që SPAK ka kërkuar heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut dhe gjysma e Këshillit ka ushtruar të drejtën kushtetuese për të thirrur mbledhjen”, u shpreh Bardhi.
Sipas tij, bllokimi i sallave të mbledhjeve dhe ndalimi i komunikimit me mediat përbëjnë një precedent të rrezikshëm institucional.
“Në një akt të turpshëm dhe të paprecedentë, Peleshi jo vetëm që ka mbyllur çdo sallë mbledhjeje në Kryesi, por ka penguar edhe deputetët që të komunikojnë me mediat”, deklaroi Bardhi.
Bardhi shtoi se mazhoranca po tenton të përdorë Kuvendin si mekanizëm mbrojtës përballë drejtësisë.
“Kuvendi është kthyer në bunkerin që mbron korrupsionin e Belinda Ballukut. Mendojnë se do të marrin peng drejtësinë, por e kanë gabim”, theksoi ai.
Në përfundim, kreu i grupit parlamentar të PD akuzoi drejtuesit e Kuvendit për konflikt interesi dhe mbrojtje politike të hapur.
“Peleshi, njësoj si Rama, e ka kthyer zyrën e tij në zyrë avokatie të Belindës”, përfundoi Bardhi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




