Bota

Trump urdhëron sulm ndaj ISIS në Nigeri: Vramë terroristët që masakruan të krishterët

Nga Gazeta ‘Si’- Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, njoftoi se gjatë natës së Krishtlindjes, ushtria amerikane ka ndërmarrë një operacion ushtarak “të fuqishëm dhe vdekjeprurës” kundër celulave të ISIS-it në veriperëndim të Nigerisë.

Përmes një mesazhi në rrjetin e tij social, Truth, Trump shpjegoi se sulmi u bë si hakmarrje për vrasjen brutale të të krishterëve të pafajshëm në atë rajon.

“Nën drejtimin tim, vendi ynë nuk do të lejojë që terrorizmi radikal islamik të lulëzojë”, shkroi presidenti. Ai e cilësoi aksionin e Pentagonit si “të përsosur” dhe shtoi një mesazh të ashpër.

“Gëzuar Krishtlindjet të gjithëve, përfshirë edhe terroristët e vdekur. Numri i tyre do të rritet nëse vazhdojnë masakrat ndaj të krishterëve”, tha ai.

Sipas Trump, ai i kishte paralajmëruar më parë terroristët se do të përballeshin me “ferrin” nëse nuk ndalonin sulmet e tyre, dhe sipas tij, kjo ndodhi mbrëmë.

Edhe Komanda Ushtarake e SHBA-së në Afrikë (AFRICOM) konfirmoi operacionin. Ata sqaruan se sulmi u krye me kërkesë të autoriteteve nigeriane në shtetin e Sokotos.

Pete Hegseth, kreu i Pentagonit, përforcoi mesazhin e presidentit duke thënë se Departamenti i Luftës është gjithmonë gati të veprojë.

Ai falenderoi qeverinë e Nigerisë për bashkëpunimin dhe paralajmëroi se detaje të tjera rreth operacionit do të bëhen publike në vijim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë