Bota

Zelensky publikon planin e paqes me 20 pika- Çështjet që mbeten nyje

Nga Gazeta ‘Si’- Presidenti Volodymyr Zelensky paraqiti për herë të parë pikat kryesore të një kuadri paraprak të një propozimi paqeje me 20 pika, të diskutuar mes Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara, për të cilin ai tha se mund të shërbejë si bazë për marrëveshje të ardhshme për t’i dhënë fund luftës me Rusinë.

Pas javësh bisedimesh për të modifikuar një draft të mëparshëm me 28 pika, i cili shihej si mbështetës i shumë prej kërkesave kryesore të Rusisë, Zelensky tha se shumica e qëndrimeve janë afruar ndjeshëm.

Megjithatë, Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara ende nuk kanë arritur konsensus për dy pika kryesore: kontrollin e territorit dhe centralin bërthamor të Zaporizhjës. Zelensky bëri thirrje për bisedime me presidentin amerikan Donald Trump për t’i zgjidhur këto çështje.

Më poshtë janë pikat e draft-propozimit, ashtu siç u paraqitën nga Zelensky dhe u shpërndanë nga zyra e tij të mërkurën:

-Sovraniteti i Ukrainës do të rikonfirmohet.

-Kjo pikë parashikon një marrëveshje të plotë dhe të pakontestueshme mosagresioni mes Rusisë dhe Ukrainës. Ajo specifikon se, për të garantuar paqe afatgjatë, do të krijohet një mekanizëm monitorimi për mbikëqyrjen e vijës së kontaktit përmes mjeteve pa pilot dhe monitorimit nga hapësira, për të siguruar njoftim të hershëm për shkeljet dhe për zgjidhjen e konflikteve.

-Ukraina do të marrë garanci të forta sigurie.

-Ukraina do t’i mbajë forcat e saj të armatosura në nivelin aktual prej 800.000 personash. Drafti i mëparshëm amerikan parashikonte zvogëlimin e madhësisë së ushtrisë ukrainase.

-Shtetet e Bashkuara, NATO dhe vendet evropiane do t’i ofrojnë Ukrainës garanci sigurie që pasqyrojnë Nenin 5, klauzolën e mbrojtjes së ndërsjellë të traktatit themelues të NATO-s.

-Rusia do të formalizojë një politikë mosagresioni ndaj Evropës dhe Ukrainës në të gjitha ligjet dhe dokumentet e nevojshme për ratifikim, përfshirë miratimin me shumicë dërrmuese votash në Dumën e Shtetit.

-Ukraina do të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian në një datë të përcaktuar qartë. Ukraina do të përfitojë gjithashtu akses preferencial afatshkurtër në tregun evropian.

-Ukraina do të marrë një paketë të fuqishme globale zhvillimi, e cila do të përcaktohet në një marrëveshje të veçantë për investimet dhe prosperitetin e ardhshëm.

-Do të krijohen disa fonde për të adresuar rimëkëmbjen ekonomike, rindërtimin e zonave dhe rajoneve të dëmtuara dhe çështjet humanitare. Objektivi do të jetë mobilizimi i 800 miliardë dollarëve për ta ndihmuar Ukrainën të realizojë plotësisht potencialin e saj.

-Ukraina do të përshpejtojë procesin e përfundimit të një marrëveshjeje të tregtisë së lirë me Shtetet e Bashkuara. Zelensky tha se qëndrimi amerikan është se, nëse Uashingtoni do t’i japë Ukrainës akses në tregti të lirë, synon t’i ofrojë kushte të ngjashme edhe Rusisë.

-Ukraina do të konfirmojë se do të mbetet një shtet jo-bërthamor, në përputhje me Traktatin për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore.

-Centrali bërthamor i Zaporizhjës: Zelensky tha se ende nuk është arritur marrëveshje me Shtetet e Bashkuara për çështjen e centralit më të madh bërthamor të Evropës, i cili ndodhet pranë vijës së frontit në territor aktualisht të kontrolluar nga forcat ruse. Sipas Zelenskyt, propozimi amerikan parashikon që centrali të operohet bashkërisht nga Ukraina, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia, secila me pjesë të barabarta në një ndërmarrje të përbashkët, me amerikanët si menaxherë kryesorë. Propozimi i Kievit është që centrali të operohet nga një ndërmarrje e përbashkët 50-50 vetëm mes Shteteve të Bashkuara dhe Ukrainës, ku Ukraina do të merrte gjysmën e energjisë së prodhuar dhe SHBA do të shpërndante në mënyrë të pavarur gjysmën tjetër.

-Ukraina dhe Rusia angazhohen të zbatojnë programe arsimore në shkolla dhe në shoqëri që promovojnë mirëkuptimin dhe tolerancën ndaj kulturave të ndryshme dhe eliminojnë racizmin dhe paragjykimet. Ukraina do të zbatojë rregullat e Bashkimit Evropian për tolerancën fetare dhe mbrojtjen e gjuhëve të pakicave.

Territori: Zelensky tha se kjo është pika më komplekse dhe ende e pazgjidhur. Rusia kërkon që Ukraina të tërheqë trupat nga territoret që ende kontrollon në rajonin lindor të Donetskut. Kievi dëshiron që luftimet të ndalen në vijat aktuale të frontit. Uashingtoni ka propozuar zona të çmilitarizuara dhe një zonë të lirë ekonomike në pjesën e rajonit të Donetskut që kontrollohet nga Kievi.

-Pas arritjes së një marrëveshjeje për rregullimet territoriale të ardhshme, si Rusia ashtu edhe Ukraina angazhohen të mos i ndryshojnë këto marrëveshje me forcë.

-Rusia nuk do ta pengojë Ukrainën të përdorë lumin Dnipro dhe Detin e Zi për qëllime tregtare. Do të lidhen marrëveshje të veçanta detare dhe për akses, që mbulojnë lirinë e lundrimit dhe transportit. Gadishulli Kinburn, përgjatë daljes së Dnipros në det, do të çmilitarizohet.

-Do të krijohet një komitet humanitar për të zgjidhur çështjet e mbetura:
a) Të gjithë të burgosurit e luftës të mbetur do të shkëmbehen sipas parimit “Të gjithë për të gjithë”.
b) Të gjithë të ndaluarit civilë dhe pengjet do të kthehen, përfshirë fëmijët.
c) Do të merren masa për të adresuar vuajtjet e viktimave të konfliktit.

-Ukraina duhet të mbajë zgjedhje sa më shpejt të jetë e mundur pas nënshkrimit të marrëveshjes.

-Kjo marrëveshje do të jetë ligjërisht detyruese. Zbatimi i saj do të monitorohet dhe garantohet nga një Këshill Paqeje, i kryesuar nga presidenti Trump. Ukraina, Evropa, NATO, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara do të jenë pjesë e këtij mekanizmi. Në rast shkeljesh, do të aplikohen sanksione.

-Sapo të gjitha palët të bien dakord për këtë marrëveshje, një armëpushim i plotë do të hyjë menjëherë në fuqi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë