Politike

Vjen dërgesa e parë, Shqipëria pajiset me sistemet raketore Javelin

Nga Gazeta ‘Si’- Shqipëria ka marrë sistemet raketahedhës Javelin nga Shtetet e Basskuara të Amerikës, një “dhuratë” që, sipas ministrit të Mbrojtjes, Pirro Vengu, forcon aftësitë mbrojtëse të Forcave të Armatosura Shqiptare, rrit parandalimin, ndërveprueshmërinë me NATO-n dhe sigurinë kombëtare.

“Sapo është kryer dorëzimi i një sasie të parë të sistemeve Javelin dhe Shqipëria dhe Kosova, është e vërtetë, janë pjesë e kësaj ndihmese dhe bashkëpunimi bilateral me Shtetet e Bashkuara, si edhe raketat e para antitank që lëshohen nga këto sisteme”, tha Vengu në një video të postuar në llogarinë e tij në Instagram, nga një bazë e Forcës Tokësore, të paidentifikuar.

Sipas ministrit, marrja e këtyre sistemeve është e rëndësishme për tre arsye.

“E para, sepse ka të bëjë me një kërkesë të hershme të forcave tona dhe më në fund po realizohet. E dyta, sepse bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara mbetet themelor për forcimin e kapaciteteve tona dhe rritjen e aftësive mbrojtëse.

Janë sisteme antitank, të cilat mund të shërbejnë edhe në situata të caktuara për kundërshtimin e elementit kërcënues në distancë të shkurtër.

Pika e tretë, po aq e rëndësishme, ka të bëjë me aftësimin e personelit tonë luftarak për përdorimin e sistemeve, pajisjeve dhe teknologjive të përditësuara. Pra, ka një domethënie të trefishtë”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë