Nga Gazeta ‘Si’- Anëtarët socialistë të Këshillit të Imunitetit dhe Mandateve bojkotuan mbledhjen e thirrur nga 5 deputetët demokratë.
Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi që është edhe një nga anëtarët tha se mbledhjen do ta thërrasin sërish ditën e premte, pasi ai thotë se është urgjente, duke iu referuar edhe kërkesës së SPAK.
Sipas Bardhit, SPAK thotë se Balluku ka ushtruar presion ndaj dëshmitarëve, konkretisht ndaj një vartëse të saj. Po sipas Bardhit, referuar kërkesës së SPAK, e pandehura Balluku mund të prishë dhe asgjesojë provat dhe mund të largohet.
“Njësoj si kriminelët që i fshihen drejtësisë edhe kolegët e mazhorancës janë të fshehur. Nuk janë paraqitur në një mbledhje të vlefshme. Pengimi i drejtësisë me urdhër politik të Edi Ramës është akti më i rëndë që ka kryer ky kuvend gjatë këtyre viteve demokraci. Nuk mundet që një kryeministër të urdhërojë deputetët të mbledhë Këshillin e Mandateve.
Unë për herë të parë dua tju lexoj pjesë nga kërkesa që SPAK ka sjellë në Kuvend dhe e bëjnë të ngutshme mbledhjen. Balluku që ka interes për të zvarritur cështjen. Pse pesë anëtarë të Këshillit bëhen zëdhënës të një të pandehuri për veprime korruptive që kapin vlerën e 1.1 mld eurove?
SPAK ka argumentuar se në vijim të hetimeve nga përdorimi i metodave speciale kanë rezultuar të dhëna se nga ana e Ballukut ka ushtruar presion në forma të ndryshme ndaj personit të pyetur, konkretisht një vartësja të saj. Jemi në kushtet e zëvendësimit të masës së sigurimit për Belinda Ballukun. Vlerësojmë se pas caktimit të masës së sigurimit, nevojat e sigurimit janë rënduar ndaj të pandehurës Belinda Balluku.
Pasi po kryhen hetime penale për procedura të tjera. Gjendja e lirë e të pandehurës paraqit rrezik real. Ekziston mundësia që ajo të asgjesojë ose të prishë provat. E pandehura Belinda Balluku ka bërë përpjekje për të ndikuar tek dëshmitarët. Largimi i të pandehurës është evident”, tha Bardhi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




