Biznes

Rama takim me bizneset për paqen fiskale: Nisma rrit formalizimin dhe ul tatimin

Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me komunitetin e biznesit lidhur me “paqen fiskale”.

Rama sqaroi se ky premtim tashmë i kthyer në ligj, është sipas tij një nismë që do të shërbejë si një urë besimi mes sipërmarrësve dhe qeverisë.

Rama tha se zbatimi i ‘paqes fiskale’ do të nisë nga janari i vitit të ardhshëm dhe nuk cënon integritetin ligjor. Kreu i qeverisë tha se përmes paqes fiskale, do të shtohet formalizimi i bizneseve dhe do të ulet tatimi. Ai u shpreh se nga nisma përfitojnë të gjitha bizneset, që nuk kanë procese gjyqësore të hapura.

Paqja fiskale sot është ligj, pasi ishte premtim i yni në fushatë. Nga janari 2026 mund ta zbatojmë këtë nismë. Ne duam të ndërtojmë urë komunikimi të shëndetshëm mes sipërmarrjes dhe administratës tatimore. Paqja fiskale u jep mundësi sipërmarrjeve të vetëkorrigjohen, duke ribërë deklarimet e viteve të shkuara. Nisma synon të rrisë formalizimin dhe ta ulë tatimin.

Ne presim një përmirësim të atmosferës së biznesit në vend. Bëhet paqe me bizneset, që nuk kanë probleme ligjore, që nuk janë në procese gjyqësore të hapura, që afektojnë legjitimitetin e të ardhurave. Gjobat, sipas periudhës shkojnë nga fshirja totale tek pagimi përmes kësteve të lehtësuara”, tha Rama.

Ndërsa ministrja e Ekonomisë dhe e Inovacionit Delina Ibrahimaj, deklaroi se përmes paketës fiskale, qeveria synon që të krijojë kushtet, për konkurrencë të drejtë mes bizneseve.

“Ne besojmë fort tek forca e dialogut. Ne besojmë se ekonomia shkon përpara me anë të bashkëpunimit. Ekonomia shqiptare ka marrë një drejtim dhe ky drejtim është drejt BE-së, është drejt integrimit evropian, që bizneset shqiptare të përfitojnë sa më shumë nga tregu i Bashkimit Europian.

Duhet punë e madhe nga qeveria, duke votuar ligje, që na përafrojnë me BE-në. Ne na duhet që biznesi të jetë i lirë të veprojë, na duhet marrëdhënia e besimit me njëri-tjetrin. Ju duhet të operoni në një ambient ekonomik me rregulla të qarta. Numri i bizneseve është rritur në 10 vitet e fundit, edhe punësimi është rritur shumë, ka rënë papunësia dhe bizneset kanë fituar dyfish. Ambienti ekonomik është përmirësuar.

Ne do iu ofrojmë instrument bashkëpunimi, që do sjellë administratën tatimore më pranë biznesit. Të krijojmë kushte për konkurrencë të drejtë”, tha ministrja Brahimaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë