Nga Gazeta ‘SI’- Konfederata e Industrive në vend, Konfindustria i ka bërë thirrje qeverisë të tërheqë Kodin e ri Penal, pasi cënon seriozisht klimën e investimeve dhe juridike në Shqipëri.
Në një deklaratë publike, Konfindustria thekson se ka një mungesë të plotë mbi ndikimin ekonomik dhe social të penalizimeve të reja, veçanërisht për personat juridikë.
Një nga shqetësimet kryesore lidhet me tendencën për të kriminalizuar shkelje që kanë natyrë administrative, si parregullsitë tatimore formale, mungesat dokumentare apo shkelje të brendshme në shoqëritë tregtare. Sipas përfaqësuesve të biznesit, këto raste duhet të trajtohen me masa administrative ose civile dhe jo përmes ndëshkimeve penale, të cilat rrisin presionin mbi aktivitetin ekonomik.
Konfindustria Albania kundërshton gjithashtu zgjerimin e përgjegjësisë penale për personat juridikë, duke argumentuar se drafti parashikon ndëshkime edhe për vepra që nuk lidhen logjikisht me natyrën e subjekteve tregtare. Një qasje e tillë, sipas saj, bie ndesh me praktikat e vendeve të Bashkimit Evropian, ku përgjegjësia penale e bizneseve kufizohet në fusha specifike si korrupsioni, krimi i organizuar apo shkeljet mjedisore.
Një tjetër problematikë e ngritur është mbivendosja e projektit me legjislacionin ekzistues, përfshirë ligjin për mbrojtjen e konkurrencës. Tentativa për të kriminalizuar pozitën dominuese në treg, sipas Konfindustria Albania, mund të krijojë pasiguri juridike, interpretime arbitrare dhe të frenojë investimet e reja.
Kodi i ri Penal u prezantua gjatë pranverës dhe u shoqërua me kritika të shumta, për të cilat askush nuk mori përgjegjësi. Ministri i Drejtësisë atëkohë, Ulsi Manja, tha se ka mbajtur shënim të gjitha kritikat dhe propozimet për t’i sintetizuar në dokument.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




