Nga Gazeta ‘Si’- Komisioni i Etikës ka vendosur të përjashtojë për 30 ditë nga punimet e Kuvendit të Shqipërisë vetëm 6 deputetë të Partisë Demokratike, nga 29 që pasqyroheshin në kërkesën e depozituar nga Partia Socialiste.
Belind Këllici; Fidel Kreta; Albana Vokshi; Klevis Balliu; Flamur Noka; Elda Hoti janë 6 deputetët e përjashtuar me 30 ditë, nga 60 që ishte e shkruar në kërkesë. Masa nis të zabohet më 19 janar, pra në seancën e parë të Kuvendit për vitin 2026 deri më 19 shkurt.
Nga demokratët, paq ia hodhi Sali Berisha dhe Gazment Bardhi, për të cilët PS ishte shprehur se janë organizatorë të kaosit të shkaktuar në seancën e 18 dhjetorit dhe për ta ishte kërkuar pezullimi për 30 ditë.
Sipas kërkesës së PS, seanca plenare u shoqërua me akte dhune, përfshirë hedhjen e lëndëve piroteknike dhe sendeve të forta në sallë, sulme ndaj Kryetarit të Kuvendit, anëtarëve të Këshillit të Ministrave dhe punonjësve të Gardës së Republikës, si dhe bllokimin e foltores dhe zhvillimit normal të punimeve parlamentare.
Grupi Parlamentar i PS thekson se, bazuar në pamjet filmike dhe provat e administruara, këto veprime përbëjnë shkelje të rënda të Rregullores së Kuvendit dhe Kodit të Sjelljes së Deputetit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




