Politike

Berisha fton shqiptarët në protestë: Të bashkohemi dhe të përmbysim regjimin!

Nga Gazeta ‘Si’- Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha vetëm pak orë përpara protestës kombëtare që pritet të zhvillohet pasditen e sotme përpara godinës së Kryeministrisë, ftoi qytetarët t’i bashkohen.

Ai ftoi edhe partitë e tjera opozitare, pavarësisht dallimeve që të protestojnë kundër qeverisë Rama dhe të shënojnë atë që Berisha e quan një kthesë të madhe.

“Të dalin në sheshin e betejës, të dalin, të vijnë në Tiranë, të bindin çdo shqiptare dhe shqiptar se një mision i madh na pret, se ky mision, është shansi i jetës për çdo qytetar të këtij vendi. Shansi i përmbysjes, njëlloj si në Bangladesh, Nepal, Sri Lanka, të diktatorëve autokratë, të cilët pasi vjedhin dhe plaçkisin miliarda kombet e tyre, ia mbathin si armiq në vendet e tjera. 22 dhjetori është një ditë e shënuar, është një ditë që fton çdo shqiptar, ftoj të gjitha forcat politike opozitare, të gjithë ata që ndihen opozitarë, pavarësisht dallimeve që kemi, të bashkohemi sot për t’u dëshmuar shqiptarëve dhe , se nuk ka forcë që të na ndalojë pa përmbysur regjimin më të keq që shqiptarët kanë njohur në histori.

Kam besim të madh se Tirana po zien, Shqipëria po zien dhe se protesta e sotme do të shënojë kthesën e madhe, kthesën drejt fitores së çdo qytetari të këtij vendi, për dinjitetin e tij, familjene  tij, për të ardhmen, për vendin e kombin e tij”, tha Berisha.

Ai tha se protesta e sotme do të jetë një proces që do të vijojë deri në rrëzimin e qeverisë së Ramës.

“Ky është një proces inaugural, në kuptimin e asaj që ne zbresim në fushë pasi kemi bërë çdo detyrë, pasi kemi faktuar çdo gjë, të betuar që do vazhdojmë luftën tonë gjer në përmbysjen e regjimit.

Kjo është. Ne e filluam këtë me foltoren para kryeministrisë. Jo të paktë ishin ata që e përqeshën atë. Gabuan. Ajo kishte një mesazh, se ai shesh do jetë sheshi i lirisë.

Vazhduam në parlament, pasi opozitës iu mor çdo hapësirë kushtetuese. Zbresim në shesh pasi Edi Rama përdori Gjykatën Kushtetuese, organin më të lartë, për të firmosur licencën e vjedhjeve të tij dhe qeveritarëve të tij pa u shqetësuar.

Dolëm në shesh pasi Edi Rama bllokoi tentativën e fundit të prokurorëve për heqjen e imunitetit.

Pra, këtë protestë do ta merrni si një proces, i cili ndalet, edhe njëherë, proces që do jetë një ansambël i tërë, dhe ndalet vetëm me rrëzimin e Edi Ramës ose shuarjen e opozitës”, tha Berisha.

Tubimi është paralajmëruar të nisë në orën 18:00 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe pritet të ketë një pjesëmarrje më të madhe të mbështetësve të opozitës, në krahasim me pesë protestat e mëparshme, të zhvilluara në formën e një “foltoreje“.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë