Nga Gazeta ‘Si’- Pas mbylljes së seancës plenare grupi parlamentar i Partisë Demokratike është mbledhur në selinë e PD-së, ku ka nisur mbledhjen e firmave për të dërguar çështjen e zgjedhjes së Avokatit të Popullit dhe betimit të tij në Gjykatën Kushtetuese.
Partia Demokratike pretendon se zgjedhja e Endri Shabanit është bërë me vendim të Kryeministrit Edi Rama.
PD thekson se në këtë proces janë keqpërdorur edhe firmat e deputetëve demokratë, të cilat, sipas saj, ishin tërhequr paraprakisht.
Kujtojmë se Endrit Shabani u zgjodh mbrëmjen e 11 dhjetorit Avokat i Popullit me 85 vota pro nga mazhoranca socialiste dhe me asnjë votë nga opozita, të cilët kishin firmosur më parë kandidaturën e tij, por më pas u tërhoqën.
Opozita kërkoi që projektvendimi të mos votohej në Kuvend, me argumentin se ata kanë pasur vetëm firma për mbështetje ndaj disa kandidatëve dhe jo një propozim konkret. Por kërkesa u rrëzua me 77 vota të socialistëve në Parlament.
Endri Shabani u betua sot në Kuvend(18 dhjetor) mes kaosit dhe zhurmës që shkaktoi opozita në sallë.
Gjithashtu mësohet se njëkohësisht deputetët e PD-së pritet të depozitojnë edhe një kërkesë për zhvillimin e një seance të jashtëzakonshme në Kuvend, ku do të kërkohet interpelancë me zëvendëskryeministren dhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




