Politike

Kuvendi e mbyll vitin me kaos! PS voton mes tymit, sharjeve e zhurmës (foto, video)

Nga Gazeta ‘Si’- Seanca e sotme parlamentare, e fundit për këtë sesion, u shndërrua në një ‘arenë kaosi’.

Pas 1 ore përplasjesh, mazhoranca votoi aktet normative në kohë rekord dhe në kushte krejtësisht të pazakonta.

Që para nisjes së saj, deputetët e Partisë Demokratike zunë vendet e rezervuara për ministrat në sallë, duke shkaktuar përplasje verbale.

Opozitarët në kor kërkuan në sallë zv.kryeministren Belinda Balluku, për të cilën SPAK kërkon autorizim për arrestimin.

Në mes të tensioneve, kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, reagoi me tone të larta, duke akuzuar mazhorancën dhe duke bërë thirrje të drejtpërdrejta: “Çojini në burg”.

“Larg duart nga deputetët, kriminelë”, dëgjohet teksa thonë opozitarët në video, teksa ka përplasje edhe me forcat e Gardës së Republikës.

“Prekja e deputetëve është një akt kriminal, i turpshëm, i pashembullt. Jeni ju që mbroni hajdutët.
Do të përballeni me proceset më të rënda. Ju që prekni deputetët do përballeni me proceset më të rënda.
Larg, larg!
Mos prekni deputetët se do përballeni me pasoja shumë të rënda. Po mbroni hajdutë, po mbroni kriminelë.
Mos prekni deputetët. Mos zbatoni urdhrat e hajdutëve!

Pirro, po ti, Zogu i Belindës”, tha Berisha drejtuar ministrit të mbrojtjes Pirro Vengu gjatë kohës që deputetët e PD ndezën flakadanë.

Rrëmuja në sallë ndërkohë nuk ka penguar që Endri Shabani të betohet si Avokat i Popullit.

Gjatë momentit të betimit, Balliu ka ndërhyrë me thirrje përjashtuese, duke i kërkuar Shabanit të largohej nga salla.

Por pavarësisht ndërhyrjeve, ceremonia vijoi dhe Shabani shqiptoi fjalën “Betohem” nga mikrofoni në cepin e posteve të ministrave.

Pas betimit, mes duartrokitjeve të mazhorancës, Endri Shabani bëri një gjest provokues në drejtim të deputetëve të opozitës, të cilët po përplaseshin me punonjësit e Gardës, duke u dërguar një puthje.

Ndërkohë Peleshi njoftoi përjashtimin e deputetit Klevis Balliu. Gjithashtu ai përjashtoi edhe Sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Demokratike, Flamur Noka, i cili hodhi ujë në drejtim të njërit prej punonjësve të Gardës.

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, kërkoi ndërprerje të diskutimeve dhe kalimin në votim.

“Me shpresën se do shkoni nga 300 në 400 protestues, dhe në respekt të plotë të procedurës, në pamundësi për të zhvilluar diskutimet, kemi pasur sot në rend dite plot çështje të rëndësishme, duket se opozita nuk do, ju lutem të kalojmë në votim”, tha ai.

Dhe kështu ndodhi, u kalua direkt në votimin e akteve, mes zhurmës dhe tymit të krijuar në sallë.

Ndërkohë sinjali i Kuvendit u shkëput, për shkak se u dogjën fibrat e shërbimit të transmetimit.

Siç shihet edhe nga pamjet, pajisjet që mundësojnë shërbimin janë shkrumbuar, por ende nuk dihet si ka ndodhur.

Ky veprimi i deputetëve të opozitës konsiderohet si një akt proteste ndaj qeverisë, ndërsa përfaqësues të mazhorancës e cilësuan situatën si pengim të punimeve normale të Kuvendit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë