Nga Gazeta ‘Si’– Kuvendi i Shqipërisë do të zhvillojë seancën e fundit plenare për këtë sesion parlamentar.
Kjo mbledhje pritet të shoqërohet me përplasje politike dhe diskutime të ashpra mes mazhorancës dhe opozitës. Në fokus të seancës do të jenë disa çështje të ndjeshme institucionale dhe politike, të cilat kanë ndezur debatin publik gjatë javëve të fundit.
Një nga pikat më të diskutuara lidhet me institucionin e Avokatit të Popullit. Endrit Shabani, i cili u përzgjodh për këtë detyrë me firmat e Partisë Demokratike, por u miratua në seancë vetëm me votat e Partisë Socialiste, pritet të bëjë betimin zyrtar në Kuvend.
Opozita e ka kundërshtuar këtë proces, duke e konsideruar të kontestueshëm dhe ka depozituar një padi në Gjykatën Kushtetuese, çka pritet të reflektohet edhe në debatet parlamentare të sotme.
Një tjetër çështje që pritet të shkaktojë tension është ajo e zv kryeministres Belinda Balluku. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) i ka drejtuar Kuvendit një kërkesë për dhënien e autorizimit për arrestimin e saj. Ndërkohë, Këshilli i Mandateve, i cili ka rol këshillimor në këtë proces, është parashikuar të mblidhet të premten për të shqyrtuar kërkesën.
Megjithatë, situata është komplikuar nga fakti se anëtarët e Këshillit të Mandateve ende nuk kanë marrë në dispozicion materialet provuese të SPAK, të cilat ndodhen në një USB. Kryetari i Kuvendit Niko Peleshi ende nuk ua ka vënë në dispozicion këtë material, duke argumentuar se dokumentacioni përmban të dhëna që janë sekret hetimor. Kjo ka nxitur akuza për mungesë transparence dhe pengim të procesit parlamentar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




