Politike

Berisha në Këshillin Kombëtar: Greva e protesta deri sa të ikë Rama. Salianji u vetëpërjashtua

Gazeta Si – Partia Demokratike mblodhi mbrëmjen e kësaj të mërkurë Këshillin Kombëtar për herë të parë pas humbjes në zgjedhjet parlamentare të 11 Majit.

Gjatë mbledhjes pati diskutime mbi situatën politike në vend, çështja e Belinda Ballukut dhe protesta kombëtare e lajmëruar më 22 dhjetor.

Por ajo që ra në sy, ishte mungesa e ish-deputetit Ervin Salianji, për të cilin Berisha paralajmëroi paradite përjashtimin e tij, duke e akuzuar për bashkëpunim me Suel Çelën për organizimin e takimit të djeshëm me demokratët në Elbasan. Sipas burimeve, Salianji ndodhej në takime të tjera me demokratët në bazë këtë të mërkurë.

Edhe pasi mbaroi mbledhja me dyer të mbyllura, i pyetur nëse do ta përjashtojë Ervin Salianjin nga PD, Berisha mbajti të njëjtin qëndrim: “Nuk kam thënë që s’ka vetëpërjashtime”, duke nënkuptuar se ish-deputeti po vetëpërjashtohet nga PD.

“Edhe njëherë, atë qëndrim që kam patur unë për këtë çështje, e kam shprehur si kryetar i PD dhe nuk e lëviz atë… Shih statutin. Nuk kam thënë që s’ka vetëpërjashtime”, tha Berisha.

Ndërkohë mbledhja nisi me fjalën e kreut të PD, e cila ishte e hapur për mediat, ndërsa diskutimet vijuan me dyer të mbyllura.

“Me Edi Ramën nuk ka zgjedhje. E kam thënë me dhjetëra herë dhe e them përsëri, por e dyta ne u thamë shqiptarëve se do mbrojmë votën dhe se mbrojtja e votës ishte prova më e madhe e seriozitetit tonë e përkushtimit tonë, e vendosmërisë, integritetit dhe ndershmërisë sonë”, tha Berisha.

Ai u shpreh se do të fillojnë grevat dhe demonstratat, deri sa Edi Rama do të japë dorëheqjen.

“Jemi këtu, jemi në emergjencë, jemi në provën e guximit tonë. Nuk ikën ai. Po nuk u ngritëm ne… Ai do vazhdojë: ‘Unë udhëheqësi i Reformës’. ‘Unë me 84 vota’, që na i vodhi ne. Jo, kësaj radhe do flasim ne. Kjo është prova jonë e madhe. Përsëri, besimi i shqiptarëve është te ne. Sepse po të mos na shihte, nuk na votonte fare, na shuante”.

Berisha bëri një autokritikë dhe paralajmëroi: “A kemi bërë ne përpjekjen finale për rrëzimin e tij? Jo, nuk e kemi bërë. Kemi bërë shumë protesta. Mirë kemi bërë. Kemi treguar ‘muskujt’. Kemi bërë lëvizje. Nuk ishin ato që e rrëzonin Edi Ramën. Edi Ramën e rrëzon ajo lëvizje që shkon aty dhe nuk shqitet. Dhe ne do e bëjmë këtë lëvizje, me greva urie, protesta, demonstrata, me të gjitha format. Tani jemi me të drejtën e Zotit. Kemi ligjin ndërkombëtar që thotë se zgjedhjet i ka dhunuar. Kemi ligjin ndërkombëtar që thotë se zgjedhjet i bëri farsë. Kemi përpjekjet e tij të çmendura për të kontrolluar gjithçka në këtë vend”, tha ndër të tjera Berisha.

Analizën brenda Partisë Demokratike, në një kohë kur lëvizja e Salianjit ka ndezur përplasjet e brendshme, Berisha e kaloi në plan të dytë dhe tha se do ta diskutojnë në një mbledhje tjetër.

“Për shkak të situatës emergjente të krijuar, detyrohemi që axhendën e parashikuar për sot ta shtyjmë për një mbledhje tjetër të afërt dhe të përqendrohemi në përgatitjen e përgjigjes që duhet t’i japim kësaj kalbësire që kundërmon në gjithë botën”, vijoi Berisha.

Në fund u vendos që ndryshe nga herët e tjera të ngrihen disa grupe pune që do të merren me mobilizimin e strukturave dhe qytetarëve për protestën e së hënës. Puna e tyre do të monitorohet vazhdimisht nga partia, kjo edhe për faktin, se ka pasur akuza në të shkuarën që nuk është punuar sa duhet.

Gjithsesi deri në këto momente nuk ka pasur një udhëzues konkret apo platformë për protestat nëse do vijojnë apo do ketë vetëm një protestë kombëtare

Ndërkohë gjatë mbledhjes, një prej anëtarëve, Lisandër Hoxha, ka paraqitur një platformë ku kërkonte përjashtimin nga radhët e PD-së personat e lidhur me Sorosin, ata që kanë fituar tendera nga qeveria si dhe ngritjen e një Komisioni Hetimor brenda partisë për mënyrën si janë marrë firmat e deputetëve për të mbështetur Endrit Shabanin si Avokat Populli.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë