Gazeta Si – Pas kërkesës së tij, ish-presidenti Ilir Meta do të merret në pyetje të enjten (nesër, 18 dhjetor) nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) lidhur me dosjen “21 Janari” 2011, ku u vranë para kryeministrisë 4 protestues të opozitës, që asokohe drejtohej nga Edi Rama.
Meta është thirrur nga SPAK dhe do të transportohet nga paraburgimi drejt ambienteve të Prokurorisë së Posaçme, ku në orën 10:00 do të nisë marrja në pyetje e tij.
Ka qenë vetë kryetari i Partisë së Lirisë, ai i cili i ka kërkuar SPAK-ut që ta merrte në pyetje, pasi mund të jepte disa dëshmi të vlefshme rreth ngjarjes, të panjohura për publikun.
Që prej 21 tetorit të vitit 2024, Ilir Meta mbahet në paraburgim për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe fshehje pasurie.
Dosja hetimore ndaj tij është mbyllur dhe dërguar nga SPAK për hetim në GJKKO, por seancat paraprake vijojnë të shtyhen që prej shtatorit të këtij viti.
Më 19 nëntor të këtij viti, ish-kryeministri Sali Berisha u pyet në SPAK për 2 orë lidhur me “21 janarin”, duke pranuar se ishte një krim shtetëror, por pa dashje nga ana e oficerëve të Gardës së Republikës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




