Nga Gazeta ‘Si’- Presidenti francez Emmanuel Macron i bëri thirrje liderit kinez Xi Jinping të forcojë bashkëpunimin në çështjet gjeopolitike, tregtare dhe mjedisore, ndërsa Bashkimi Evropian kërkon mbështetjen e Kinës për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Macron udhëtoi me një delegacion të madh biznesi në vizitën e tij të katërt shtetërore në ekonominë e dytë më të madhe të botës, duke kërkuar të forcojë profilin e tij në politikën e jashtme dhe të sigurojë marrëveshje të reja tregtare për industrinë franceze. Të dy liderët nënshkruan 12 marrëveshje bashkëpunimi, që mbulojnë investimet, energjinë bërthamore dhe ruajtjen e pandave. Macron i kërkon Jinping t’i bashkohet përpjekjeve për paqe në Ukrainë.
“Shpresoj që Kina t’i bashkohet thirrjes dhe përpjekjeve tona për të arritur, sa më shpejt të jetë e mundur, të paktën një armëpushim në formën e një moratoriumi për sulmet që synojnë infrastrukturën kritike. Evropa dhe Kina kanë një rol për të luajtur, së bashku me partnerë të tjerë, në hedhjen e themeleve për një qeverisje ekonomike globale të drejtë dhe të fortë, të bazuar në rregulla dhe jo në ligjin e më të fortit”, tha Macron.
Kina, nga ana e saj, dëshiron të zbusë tensionet tregtare me BE-në lidhur me industrinë e sajtë subvencionuar të automjeteve elektrike, dhe të paraqitet si një partner i besueshëm në tregti dhe një alternativë ndaj SHBA-së, sidomos në kohën kur ekonomitë globale përballen me rreziqe recesioni për shkak të tarifave të vendosura nga administrata e Donald Trump.
“Dy palët janë dakordësuar të konsolidojnë bashkëpunimin e tyre tradicional në hapësirën ajrore dhe energjinë bërthamore dhe për të zgjeruar bashkëpunimin në industritë në zhvillim, si ajo e gjelbër, ekonomia digjitale dhe inteligjenca artificiale”, tha Xi Jinping.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



